SHBA-Rusi, dakord për bisedime mbi operacionet në Siri

SHBA-Rusi, dakord për bisedime mbi operacionet në Siri

Rusia ka rënë dakord për të rifilluar bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi sigurinë ajrore, gjatë fushatës së bombardimeve në Siri.

Lajmin e ka bërë të ditur Pentagoni, që ka njoftuar se bisedimet ka gjasa që të zhvillohen që këtë fundjavë.

Së fundmi ka patur shqetësime për përplasje aksidentale në qiejtë e Sirisë, pasi dy vendet po kryejnë fushata të ndara bombarduese në këtë vend.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë alarmuar gjithashtu nga shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë nga avionë luftarakë rusë.

Zyrtarë amerikanë dhe rusë zhvilluan bisedime mbi sigurinë ajrore përmes video-konferencave më 1 tetor, por Uashingtoni është ankuar se nuk ka marrë asnjë sinjal nga Moska që atëherë.

Më herët gjatë javës, zyrtarë të Pentagonit deklaruan se avionëve amerikanë u ishte dashur të kryenin të paktën një manovër sigurie për të shmangur përplasjen me një avion rus në Siri. Ata thanë se kjo ndodhi pas 1 tetorit, por nuk dhanë një datë të saktë.

Bisedimet pritet të trajtojnë përmasat e hapësirës ajrore mes avionëve amerikanë dhe atyre rusë, dhe se cilën gjuhë dhe frekuenca ekuipazhet përkatëse duhet të përdorin për komunikimet.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter akuzoi të premten Rusinë se kishte kryer operacione “tërësisht të gabuara” në Siri, të cilat sipas tij mund të ndezin më tej luftën civile dhe për rrjedhojë edhe ekstremizmin.

Por Moska i mohoi këto akuza, duke deklaruar se ka goditur 60 objektiva të Shtetit Islamik dhe ka vrarë 300 militantë të grupit terrorist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *