Shqipëri, PD: Shqiptarët vuajnë për bukë, ministrat me makina Jaguar

Shqipëri, PD: Shqiptarët vuajnë për bukë, ministrat me makina Jaguar

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po bën shpenzime luksi për blerjen e 29 automjeteve të shtrenjta për anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Partia Demokratike nuk paraqiti asnjë dokument për të faktuar këtë akuzë, por tha se blerja është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama për të favorizuar një klient të vetin, emrin e të cilit nuk e përmendi.

“29 jaguarë, makina e fjalës së fundit, janë porositur nga Edi Rama për të dhe për ministrat. Makina si kjo që shihni në ekran, mjetet e preferuara të sheikëve e pasanikëve në botë. Ky është shpërblimi që ka Edi Rama për ministrat e tij që e kanë kryer shumë mirë deri tani misionin e vjedhjes, zhvatjes, e plackitjes së fondeve kudo, në çdo mundësi që u është dhënë. Shpërmblim jo vetëm për ta, por dhe për koncesionarin, mikun e Edi Ramës ku do merren makinat”, deklaroi Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së.

Partia Demokratike, në oborrin e të cilës disa prej deputetëve të opozitës parkojnë makinat e tyre luksoze, u kërkoi shqiptarëve të ngrihen kundër luksit të qeverisë.

“Një Jaguar i ri për tërë bravo-çunat e qeverisë, është mesazhi i Edi Ramës, për mijëra familje që nuk mbyllin dot muajin, për mijëra që kanë mbyllur dyqanet, për mijëra që po ikin nga sytë këmbët. Shqiptarë! Duhet të ngrihemi e t’i ndalim këta banditë të korruptuar bashkë me jaguarët e tyre”, tha deputeti Spaho.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *