Si të ruani privatësinë tuaj pas ndryshimeve të “Facebook”

Si të ruani privatësinë tuaj pas ndryshimeve të “Facebook”

Facebook ka lajmëruar planin ambicioz të bëhet rrjeti më i rëndësishëm në botë. Media sociale ka njoftuar se përdoruesit e tij po bëjnë rreth 1.5 miliardë kërkime në ditë.

Për t’i ndihmuar ata, do të indeksojë të gjitha postimet, që aktualisht arrijnë në shifrën 2 trilionë.

“Për shkak se kemi indeksuar të gjitha bisedat e botës, ne mund t’ju lajmërojmë se çfarë është në trend, çfarë po ndodh aktualisht në botë”, tha Rousseau Kazi, një menaxher produkti në skuadrën e kërkimit në “Facebook”.

“E gjithë ideja është që nëse i mbledh këto pjesë të informacionit në mënyra të caktuara, e bën shumë të lehtë të kapësh të gjithë historinë e plotë”.

Sipas “Facebook” përdoruesit gjithnjë e më shumë po e përdorin faqen për të marrë lajmet më të fundit.

“Kur diçka ndodh në botë, njerëzit shpesh i kthehen “Facebook” për të parë si reagojnë miqtë dhe familjarët e tyre. Sot ne po e përditësojmë kërkimin në “Facebook”, që përveç miqve dhe familjarëve, ju të mund të zbuloni se çfarë po thotë e gjithë bota rreth temave që janë të rëndësishme për ju”.

Firma thotë se rezultatet janë të personalizuara për çdo përdorues dhe se do të respektojë privatësinë e përdoruesve. “Rezultatet e kërkimit janë të personalizuara dhe unike për këdo, sepse si gjithnjë mund të shohësh vetëm gjërat që të tjerët kanë zgjedhur t’i ndajnë me ty”.

Në fillim të kësaj jave, “Facebook” lajmëroi se nëse ka dyshime nëse llogaria juaj po kontrollohet nga shërbimet e shtetit, do të tregojë një mesazh paralajmërimi.

Në këtë mesazh, “Facebook” i përshkruan sulmuesit e llogarisë si aktorë të sponsorizuar nga shteti, megjithëse nuk e ka specifikuar saktësisht se çfarë do të thotë dhe si monitorohen aktivitete të tilla.

Si të ruani privatësinë tuaj

Për të ruajtur privatësinë një mënyrë e mirë është të aktivizoni miratimet e kyçjeve, të cilat ju ndihmojnë të pengoni të tjerët nga aksesi në llogarinë tuaj të “Facebook”.

Kurdo që llogaria juaj bëhet e aksesueshme për një pajisje tjetër apo një motor tjetër kërkimi, “Facebook” dërgon një kod sigurie në celularin tuaj, në mënyrë që vetëm ju të mund të hyni.

Paralajmërimet e kyçjeve dhe miratimet e kyçjeve janë aktualisht të disponueshme për këdo dhe nëse një person tjetër përpiqet të hyjë në llogarinë tuaj, atij që zotëron llogarinë i dërgohet një mesazh.

Paralajmërimi mund të jetë në formën e një lajmërimi në “Facebook”, një mesazhi në celular apo një email-i.

Një zëdhënës i “Facebook” ka saktësuar se ata planifikojnë të përdorin këto metoda vetëm nëse kanë dyshime të forta dhe prova, të cilat mbështesin dyshimet e tyre.

“Ne shpresojmë që këto paralajmërime të ndihmojnë njerëzit dhe ne do të vazhdojmë të përmirësojmë aftësinë tonë për të parandaluar dhe zbuluar sulmet e të gjitha llojeve kundër përdoruesve tanë”, tha zëdhënësi i “Facebook”.

Po ashtu, gjiganti i rrjetit social do të ofrojë një Raport Transparence çdo vit. Raporte të tilla publikohen nga “Google” dhe “Twitter”, ku lajmërohet publiku se sa herë qeveritë i janë qasur kësaj faqeje për informacion rreth përdoruesve dhe sa herë ata e kanë dhënë këtë informacion.

Çdo kërkesë kontrollohet për arsye ligjore dhe mund të refuzohet ose të kërkohen më shumë detaje për arsyen e kërkesës.

Një tjetër mënyrë për të mbrojtur privatësinë e postimeve tuaja është duke kontrolluar publikun e çdo postimi. Në varësi të kohës që mund të keni në përdorimin e “Facebook” përgjatë viteve, numri i postimeve tuaja mund të jetë i lartë, ndaj në këtë rast në vend që t’i kaloni ato njëra pas tjetrës mund t’u kufizoni shikueshmërinë të gjithave bashkë.

Për ta bërë këtë mjafton të shkoni te llogaria pastaj klikoni te privatësia. Aty klikoni “Kufizoni dukshmërinë e postimeve që keni shpërndarë me shokët e shokëve ose publikisht” gjë që do t’ju kufizojë shikueshmërinë e postimeve sipas kushteve të privatësisë që ju keni vendosur aktualisht në llogarinë tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *