Skënderbeu mundet 0-1 nga Beshiktashi në “Elbasan Arena”

Skënderbeu mundet 0-1 nga Beshiktashi në “Elbasan Arena”

Mungesa e eksperiencës në aktivitete kaq të mëdha europiane u pa qartë te skuadra korçare në pjesën e parë, ndërkohë që përpjekjet e Josës për të ndryshuar diçka në të dytën nuk dhanë rezultatin e pritur nga tifozët në shkallët e stadiumit dhe shumë të tjerë para ekraneve të televizorit.

Turqit e nisin vrullshëm ndeshjen dhe falë një lojtari si Quaresma rrezikuan disa herë portën e korçarëve. Nga ana tjetër kampionët e Shqipërisë patën vështirësi të shfaqeshin para portës kundërshtare, kjo dhe për faktin se truri i skuadrës, Blendi Shkëmbi, ishte i mirë markuar nga lojtarët kundërshtar.

Goli i avantazhit për miqtë erdhi në minutën e 28 me Sosa-n. Pas këtij momenti, turqit kishin edhe një tjetër mundësi, por në këtë rast Shehi u tregua pozicional.

Në të dytën, ndryshimet e bëra nga Josa i dhanë më tepër zemër korçarëve, të cilët u afruan më shumë portës së Beshiktashit.

Olayinka dhe Berisha kishin dy rastet më të mira për të barazuar ndeshjen, por në të parën gjuajtja e nigerian përfundoi jashtë, ndërsa në të dytën u grushtua nga portieri mik. Në fundin e ndeshjet skuadra turke shpërdoroi disa raste mjaft të mira, por që gjithsesi në fund ishin ata që dolën me 3 pikë nga “Elbasan Arena”.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Lokomotiva e Moskës mposhti 1-3 në Portugali Sportingun, fitore kjo që e vendos skuadrën ruse në krye të grupit me 3 pikë, po aq sa Beshiktashi që u kthye me fitore në Stamboll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *