Testimi ekstern, MASH pa përgjigje për reforma konkrete, ankesat vazhdojnë

Testimi ekstern, MASH pa përgjigje për reforma konkrete, ankesat vazhdojnë

“Procesi i testimit ekstern do të ketë reforma”, ka thënë zëvendës ministri i MASH Spiro Ristovski, duke shtuar se ndryshimet do të ishin për qëllim që t’u ndihmohet nxënësve, që më lehtë ta mbizotërojnë materialin dhe të arrijnë rezultate të mira.

Por me këtë nuk pajtohen të gjithë. Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës (LASH), Samet Jahiji thotë se edhe me reforma, testimi ekstern nuk është mënyra më e mirë për të vlerësuar mësimdhënësin dhe nxënësit.

“Është shumë stresues testimi ekstern, e lëre më që është i stërmbushur me gabime skandaloze dhe gjuhësore. Nuk është mënyra se si mund të vlerësohet dijenia e nxënësve si dhe puna e arsimtarëve. Dyshoj që reformat që përmenden do bëjnë ndonjë ndryshim. Disa herë u tha që do të përmirësohet kualiteti dhe do të merren parasysh kërkesat tona dhe asgjë nuk u bë”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai shtoi se po të konsultohej MASH me mësimdhënësit në mbarë Maqedoninë do të shikonte se të gjithë janë kundër testimit.

Gjithashtu edhe ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti vlerëson se reformat dhe strategjitë nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim ne këtë fushë, pa u bërë njëherë një analizë shkencore.

“Veprimet e ministrisë se arsimit janë inkoherence, për fat të keq janë qëndrime që për baze nuk kanë analizat shkencore për  zhvillim të arsimit por vendime arbitrare të politikës ditore. Janë vendime në vazhdën e vendimeve kiç, si fasadat e ndërtesave. Vlerësoj se kjo qeveri tashmë nuk e ka as vullnetin, as  kapacitetin, as kohën për të bërë strategji dhe reforma. Si e kanë bërë arsimin, vlerësoj se do të nevojitet shumë punë për ta sjellë në gjendjen optimale”, tha për Portalb, Rushiti.

Ndërkaq nga MASH thonë se ende nuk kanë përpiluar reformat dhe se për ato do konsultohen me të gjithë.

“Ne thamë që do të përpilohen reforma për të rregulluar cilësinë e testimit ekstern. Ne do të bisedojmë me të gjithë, do të pranojmë propozime nga të gjithë dhe më pas do të vendosim për reformat se cilat do të jenë ato dhe ku do të bëhet ndryshimi”, tha për Portalb Goran Galevski, zëdhënës i MASH-it.

Galevski nuk bëri të ditur se a mund të përfundojnë këto reforma deri në testimin ekstern të radhës.

Nga ana tjetër, nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit vazhdojnë të ankohen me gabimet dhe lëshimet e mëdha që hasen në këto testime tani më disa vite me radhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *