Testimi i shpejtë fillon edhe në Gostivar, për 24 orë testohen 20 pacientë

Testimi i shpejtë fillon edhe në Gostivar, për 24 orë testohen 20 pacientë

Brenda 24 orëve 20 teste të shpejta për Covid 19 janë bërë në qytetin e Gostivarit, i cili është furnizuar me 250 teste antigjene, që japin rezultat për më pak se gjysëm ore dhe me saktësi mbi 95%. Testimi i shpejtë ka filluar nga dita e djeshme, dhe nga sot ato nuk do të kryhen te ambulanta e punës, por te Laboratoria specialistike pranë Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar. Abdulkadir Aliji, udhëheqësi i kësaj laboratorie, tha se testi i shpejtë te ata mund të kryhet vetëm në interval kohorë prej dy orësh dhe me udhëzim të mjekut amë përmes sistemit “Termini im”.

“Ne zyrtarisht nga dita e djeshme filluam me testimin e shpejtë. Lokacionin fillestar e kishim te ambulanta e punës, por edhe pse interesimi ende është i vogël, kushtet adekuate nuk na lejonin testimi të realizohet atje, sepse bëhet fjalë për sigurinë e pacientëve. Ata që janë në kontrollë te mjekët amë ekzistues në atë ambulantë dhe të rinjtë që drejtohen për testim për Covid 19, nga sot mund të vijnë te lokacioni i ri te Laboratoria Kimike. Testimi do të realizohet vetëm nga ora 15 deri në ora 17 e 30, varësisht nga termini”.

Aliji pret periudhën e ardhshme procedura e testimit të shpejtë të mos has në vështirësi, të cilat në fillim janë shfaqur nga krijimi i udhëzimeve nga mjekët amë.

“Pacientët na vijnë nga mjekët amë të cilët krijojnë udhëzime në bazë të simptomatologjisë e cila është adekuate për sëmundjet virale, në këtë rast për Covid 19. Procedura zhvillohet sipas të planifikuarës ku na dërgohen pacientë dhe ata vijnë në kohë. Testi është i thjeshtë dhe shpejtë punohet dhe përmes sistemit “Termini im”, mjeku amë brenda 20 deri 30 minuta e merr rezultatin ashtu siç është, pozitiv ose negativ. Presim ditët në vijim udhëzimet dhe kërkesat nga mjekët amë të jetë më adekuat nga aspekti që në fillim dihet se ka probleme me sistemin “Termini im” për krijimin e udhëzimeve. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me mjekët amë dhe u japim udhëzim nga domeni ynë se si të krijojnë udhëzime”.

Testi i shpejtë jep benificione edhe pacientët edhe personelin shëndetësor. Nuk do të humbet sikurse deri më tani shumë kohë dhe për testim PCR, do të dërgohen vetëm ata të cilët dalin pozitiv. Njëkohësisht, pacientët pozitiv me testin e shpejtë, vetëm pas gjysëm ore mund të hynë në izolim duke ulur kështu mundësinë e pasjes së kontaktit me persona të tjerë.

“Procedura te pacientët pozitiv që dalin nga testi antigjen për Covid 19 vazhdon sërish te mjeku amë i cili e merr rezultatin brenda 30 minutave. Pastaj ai është i obliguar ti dërgojë pacientët për të bërë test PCR, i cili realizohet te Qendra Epidemiologjike në çdo qytet. Në bazë të rezultatit definitiv vijnë procedura të tjera. Është punë e mirë pasi pacientët me simptoma përfshihen dhe nuk lihen në udhëkryq duke menduar se bëhet fjalë për virus sezonal, ftohje e zakonshme apo Covid 19. Besojë se një pjesë shumë e mirë e atyre që dërgohen për PCR test, dihet paraprakisht se do të jenë në 95% të rasteve pozitiv. Pra, nuk do të ketë gabim në testin PCR, gjegjësisht nuk do të dërgohen më për atë lloj testi pacientë që janë negativ”.

Testimi i shpejtë për Covid 19 nisi aga java e kaluar me organizim të Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë lloj testimi, Gostivari ka përgatitur ekip i cili është trajnuar në Shkup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *