THAÇI: “Lufta e Serbisë kundër Kosovës ka qenë fashizëm i pastër dhe i thjeshtë”

THAÇI: “Lufta e Serbisë kundër Kosovës ka qenë fashizëm i pastër dhe i thjeshtë”

Ministri i Punëve të Jashtme si dhe zv/kryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në një editorial në gazetën britanike “Independent”, shkruan se nuk do të lejojë që historia kombëtare e Kosovës të rishkruhet, siç thotë ai, për të mjegulluar vijat midis viktimës dhe agresorit.

Në këtë editorial, Thaçi ka shkruar po ashtu se muajin e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet kushtetuese që lejojnë formimin e Gjykatës Speciale për krime të dyshuara lufte, të kryera nga kosovarët, gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të luftës së vitit 1999.

Ministri i Jashtëm Thaçi ka shkruar ndër të tjera se asnjë kosovar, përfshirë edhe vet atë, nuk do të rrijë duarkryq dhe të lejojnë që Gjykata Speciale të barazojë aktet e Sllobodan Millosheviçit, i ashtuquajtur ‘Kasap i Ballkanit’, me aktet e individëve të dëshpëruar apo kriminelë, të kryera gjatë ose pas luftës.

“Lufta e Serbisë kundër Kosovës është bërë me përfshirjen e ushtrisë, policisë, njësiteve paraushtarake dhe është mbështetur nga intelektualët serbë. Ka qenë fashizëm i pastër dhe i thjeshtë”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.

Thaçi ka thënë se në Kosovë askush nuk ka frikë nga Gjykata Speciale, pasi sipas tij, askush nuk fshesh asgjë. Ai ka thënë se të gjithë janë krenar për lirinë dhe pavarësinë e arritur në vitin 2008.

“Ne jemi krenar për lirinë dhe për sakrificat që kemi bërë për të arritur pavarësinë. Ne jemi krenar për të gjithë ata burra dhe gra trima të cilët shërbyen në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lëvizja çlirimtare nuk i përket një individi, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk kemi asgjë për të fshehur. Nuk ka asnjë arsye për frikë. Kosova do të bashkëpunojë me të gjithë hetuesit ndërkombëtarë, prokurorët dhe gjykatësit e përfshirë në këtë proces”, shkruan Thaçi.

Shefi i diplomacisë kosovare ka shkruar më tej se Kosova do të bëjë edhe disa milje rrugë, për të vërtetuar se drejtësia është vendosur dhe për të vazhduar proceset e integrimit në insiticuionet ndërkombëtare.

Pavarësisht sfidave që e presin shtetin, Thaçi, duke dhënë fjalën e tij, të qeverisë dhe qytetarëve, ka premtuar se Kosova do të jetë një histori suksesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *