Turqia alarmon: Priten edhe 3 milionë refugjatë (Video)

Turqia alarmon: Priten edhe 3 milionë refugjatë (Video)

Zyrtarë të lartë të Ankarasë kanë paralajmëruar Bashkimin Europian se miliona refugjatë të tjerë priten të zbarkojnë në kontinent.

Për presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, me shumë gjasë diçka e tillë mund të ndodhë, pasi sipas tij, përfshirja e Rusisë dhe Iranit në Siri do të mbajë Aassad-in në pushtet, e po ashtu intensifikon bombardimet.

Për autoritetet europiane, kjo do të shkaktonte pakënaqësi në radhët e njerëzve sirianë, të cilët e shohin emigrimin nga zona e luftës si zgjidhjen e vetme.

Për zyrtarët turq, 3 milionë refugjatë të tjerë pritet të zhvendosen nga Siria. Edhe për organizatën ndërkombëtare të emigracionit, përshkallëzimi i aktivitetit ushtarak në rajon, do të krijojë një valë të re emigrantësh për Europën.

Ndërkaq pritet që kancelari austriak, Werner Faymann të vizitojë ishullin Lesbos të Greqisë, si një nga pikat që pret më shumë refugjatë, transmeton TCH.

Por nga ana tjetër, Britania e Madhe ka lëshuar thirrjen që nuk e përballon dot miliona emigrantë çdo vit, pasi kjo sipas sekretares Theresa May, do ta bënte të pamundur ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme. Realiteti tregon se që prej ditës së diel, rreth 100 refugjatë kanë humbur jetën në tentativë për të arritur brigjet e Europës.

Por deklarata e ministrit libanez të arsimit, Elias Bou Saab se 1 në 50 refugjatë sirianë, mund të jetë terrorist, ka zgjuar frikën në Kontinentin e Vjetër. Sipas “The Independent”, po përforcohen kontrollet e personave që kërkojnë azil.

Një çështje e tillë delikate, ka kaluar edhe oqeanin deri në Amerikën e largët, ku një sondazh i fundit në vend tregon frikën e shumicës së njerëzve atje nga një kërcënim terrorist. Sondazhi tregon se 56% e pjesëmarrësve u shprehën se pranimi i refugjatëve i kthen Shtetet e Bashkuara në një vend të rrezikshëm për të jetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *