Familja Hamiti nga Çegrani, është akomoduar tashmë në një shtëpi të re, më të madhe e komode se banesa në të cilën pjesëtarët e kësaj familjeje jetonin më parë. Në kuadër të përgjegjësisë sociale, ndërtimi i shtëpisë së re për këtë familje, u realizua nga lëvizja “Rezistenca” me mjete financiare të dhuruara nga njerëz bamirës.
” Të nderuar dashamir dhe të gjithë ju bamirës që me pasurinë tuaj kontribuat në gëzimin e familjes Hamiti nga Çegrani, e që është ndërtimi i kësaj shtëpie të re, Ju faleminderit shumë. Në mënyrë të veçantë falemenderojmë familjen Alushi për kontributin e pashqor që dhanë në ndërtimin e kësaj shtëpie të re, të cilët përveç përkrahjes financiare, ato dhuruan edhe 400 m2 vend, tokë për ndërtimin e shtëpisë. Faleminderit të gjithë juve të nderuar vllezër e motra që qëndroni gjithmonë në krah të çdo organizimi dhe iniciative që ndërmerret në Çegran dhe më gjërë ” shkruan në letër falemenderimin e lëvizjes “Rezistenca”.
Shtëpia e familjes Hamiti është ndërtuar në një kohë rekord. Ndërtimi i saj ka kushtuar 30 mijë euro. Shtëpia ka një sipërfaqe prej mbi 90 m2, e organizuar me dhoma gjumi, dhomë ndenjeje, kuzhinë dhe banjo. I gjithë ambienti i shtëpisë është mobiluar duke plotësuar të gjitha nevojat e pjesëtarëve të kësaj familjeje, të cilët më përpara jetonin në kushte mjaft të vështira, për shkak të pamundësisë financiare për të rregulluar shtëpinë e tyre.
Vetëm disa ditë më parë me shtëpi të reja u bënë edhe dy familje të tjera nga Çegrani. Edhe ata erdhën si nisëm e lëvizjes “Rezistenca” me përkrahje financiare të mërgimtarëve, banorëve dhe kompanive nga Çegrani.