Vesel Memedi: Të hapur ndaj kujtdo që mendon për shqiptarët

Vesel Memedi: Të hapur ndaj kujtdo që mendon për shqiptarët

Në një intervistë të shkurtër për Portalin Albeu kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedi, ka folur për planet e partisë që ai drejton dhe të koalicionit “Aleanca për Shqiptarët” sa i përket zgjedhjeve të Prillit 2016.

Sipas z.Memedi, RDK dhe koalicioni në të cilën bën pjesë është e hapur ndaj çdo subjekti që ndan të njëjtat ide dhe ideale me ta. Por ai shton se, koalicioni mes RDK dhe LR-PDSH është i mjaftueshëm për të vazhduar betejën serioze në realizimin e kërkesave sublime të kombit shqiptarë në vend.

Sa i përket Prokurores Speciale dhe rolit të saj në zbardhjen e “bombave”, kreu i RDK-së shprehet skeptik duke shtuar se, ky institucion nuk i ka kapacitetet për të zbardhur skandalet, nëse nu ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, raporton Portali Albeu.


intervista e plotë me kreun e RDK-së, Vesel Memedi:

A do jeni të hapur për një koalicion opozitar shqiptar më të gjerë apo do mjaftoheni me koalicionin RDK-LR PDSH?

Memedi: Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka demonstruar interes për unifikimin e faktorit politik shqiptarë me të vetmin qëllim realizimin e kërkesave sublime të kombit shqiptarë në vend. Edhe koalicionimi në mes RDK-së dhe LR-PDSH-së është një hap i vogël për “Aleancën për shqiptarët” ndërsa një hap i madh në drejtim të realizimit të këtyre kërkesave sublime për kombin tonë. Mirëpo për këtë hap të madh kërkohet kontributi i secilit subjekt të vullnetit të mirë dhe për këtë arsye “Aleanca për shqiptarët” është e hapur dhe do të vazhdoj të jetë e hapur për çdo subjekt që mendon në drejtim të realizimit të këtyre kërkesave sublime për kombin shqiptarë. Nga ana tjetër, koalicioni në mes RDK-së dhe LR-PDSH-së i titulluar “Aleanca për shqiptarët” është i mjaftueshëm për të vazhduar betejën serioze në realizimin e kërkesave sublime të kombit shqiptarë në vend.

A besoni se Prokurorja Speciale mund të zbardhë të vërtetën e “bombave”, veçanërisht “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave”?

Memedi: Formimi i Prokurorisë Speciale si një institucion i jashtëzakonshëm që do të merret me zbardhjen e aferës së përgjimeve në Maqedoni është një ndryshim i madh në drejtim të dekriminalizimit të skenës politike në vend. Ky ndryshim mund të jetë historik për vendin, por edhe një farsë e re nëse aktorët politik do të tentojnë të bllokojnë punën e këtij institucioni special, ndërsa gjasat për një gjë të tillë janë mjaft të larta. Në kushtet e Maqedonisë që e njohim të gjithë, ky institucion special nuk mund të ketë kapacitet të mjaftueshëm të zbardh të vërtetën e shumë “bombave” duke e përfshirë “Monstrën” dhe shumë “monstrume” tjera, nëse nuk do të ketë përkrahjen e komunitetit ndërkombëtarë, sidomos atij amerikan. Institucionet e vendit nuk janë të përgatitur të ballafaqohen me fenomene të kësaj natyre, dhe për këtë arsye nuk besojmë se e vërteta rreth “bombave” do të ketë mundësi të zbardhet pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtarë.

Cilat janë pritshmëritë e RDK-së dhe Aleancës për Shqiptarët për zgjedhjet e Prillit 2016?

Memedi: Rilindja Demokratike Kombëtare është mjaft e matur në prononcimet publike dhe nuk dëshiron të komentoj procese që pritet të ndodhin pas shtatë muajsh. Abnormaliteti politik në vend nuk lejon analizë normale të proceseve dhe për këtë arsye është vështirë të prognozohet për nesër, e lëre më të bëhet prognozë për procese që duhet të pasojnë vitin e ardhshëm. Partitë politike në vend shumë herë kanë dështuar të respektojnë marrëveshje të ndryshme, dhe nuk përjashtohet mundësia që mos të respektojnë edhe këtë marrëveshje të Përzhinos ku parashihen zgjedhjet e prillit të vitit 2016. Zgjedhjet i shpall parlamenti i vendit dhe për këtë vendim ka edhe shumë kohë, dhe për këtë arsye nuk dëshirojmë të komentojmë një proces që për momentin është shumë abstrakt, por sidoqoftë “Aleanca për shqiptarët” i mirrëpret zgjedhjet kurrdo që të mbahen ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *