Ymeri: Qeveria e koalicionit të Rashkës është jetëshkurtër

Ymeri: Qeveria e koalicionit të Rashkës është jetëshkurtër

Partitë opozitare nuk do të ndalen deri në anulimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe rrëzimin e kësaj Qeverie. Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri.

kryetari i VV-së thotë se janë bashkuar në një kauzë të drejtë, për të shpëtuar Republikën nga zhbërja që po ia bëjnë partitë në koalicion në krye me Isa Mustafën si kryeministër.

Sipas tij, kundërshtimi ka nisur me nënshkrimin e peticionit, derisa shumë shpejt do të fillojnë protestat që duhet t’i tregojnë Qeverisë se jeta e saj nuk është e gjatë.

Në një intervistë për KosovaPress-in, Ymeri thotë se Kosova është në një proces jashtëzakonisht të rrezikshëm i cili po e rrezikon Republikën dhe në anën tjetër po e rrezikon edhe jetën e secilit qytetar për shkak se po e rrezikon pasurinë kolektive, paranë publike dhe mundësinë për mirëqenie të këtyre qytetarëve.

Ai tha se qytetarët e Kosovës janë në një moment shumë të rëndësishëm kthese, me të cilën Kosova do të marr rrugën e mundësisë për zhvillim, prosperitet dhe shtetndërtimit, ose do ta marr rrugën e bosnjëzimit që nënkupton ndarje territoriale të brendshme etnike dhe vendosje plotësisht nën kontroll nga vullneti politik i Beogradit.

“Ne jemi bashkuar që ta vendosim Kosovën në binarët e mundësisë për zhvillim. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm dhe të vendosur që kjo gjë nuk mund të bëhet me këtë Qeveri e cila e ka dëshmuar se nuk e ka as vullnetin, as guximin, as vizionin për ta ndërtuar një Kosovë që do të ishte një Kosovë që do të jetonin qytetarët me dinjitet. Në këtë drejtim konsiderojmë që ndalimi i këtyre projekteve qeveritare dhe vendimeve që po merr kjo Qeveri është e domosdoshme për ta shpëtuar Republikën”, tha Ymeri.

Ymeri paralajmëron se nuk do të ndalen si parti opozitare të bashkuar deri në shpëtimin e Republikës së Kosovës, sepse nuk mund të ketë edhe “Zajednicë” edhe Republikë.

“Marrëveshjet e 25 gushtit bien ndesh me Republikën, nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Dhe meqë nuk mund të ketë edhe republikë edhe Zajednicë, i bie që kushdo që është për Zajednicë është kundër Republikës. Ne jemi bërë bashkë ta kundërshtojmë Zajednicën, ta kundërshtojmë këtë nënshtrim deri diku politik të Kosovës ndaj Malit të Zi me marrëveshjen për demarkacionin dhe si të tilla, si kundërshtime do ta dërgojmë deri në shpëtimin e Republikës, që nënkupton automatikisht edhe ndaljen e kësaj Qeveria”, theksoi ai.

Ai thekson se peticioni i cili ka filluar ka për qëllim që t’iu mundësoi qytetarëve të vendit ta shprehin revoltën e tyre për ta kundërshtuar marrëveshjen për “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.

“Peticioni ka për qëllim që qytetarët ta kenë një mundësi shtesë që ta shprehin vullnetin e tyre politik ose pakënaqësinë e tyre politike ose revoltën e tyre kundërshtuese kundër këtyre marrëveshjeve. Ata që mendojnë se duhet kundërshtuar, ata që mendojnë s’duhet kundërshtuar duhet të qëndrojnë në vendimin e tyre. Nuk e kemi asnjëherë të menduar e as të thënë që peticioni do të jetë mjete që e rrëzon qeverinë. Peticioni është një mjet i domosdoshëm në mënyrë që qytetarëve të republikës t’u krijohet hapësirë vendimmarrëse. Efekti i peticionit është tjetër gjë, qëllimi i peticionit është që qytetarët e republikës ta kenë një mundësi për t’u shprehur, sepse qytetarët asnjë herë nuk pyetën për vendime të mëdha”, tha Ymeri.

Mirëpo, kreu i VV-së, thotë se ende nuk kanë vendosur për kohën se kur do të fillojnë protestat, që sipas tij, do të jenë masive dhe nuk do të ndalen deri në zhbërjen e këtyre marrëveshjeve. Megjithatë, Ymeri tha se kjo nuk do të shkoi në pafundësi.

“Tash kur do të thirren ato protesta, kur do t’i bëjmë do të njoftoheni me kohë. Aktualisht nuk kemi një datë të caktuar, mirëpo këto natyrisht se nuk mund të shkojnë në pafundësi, pra protestat do të jenë të organizuara shpejt, dhe e rëndësishme është se ato duhet të jenë edhe të vendosura dhe duhet të jenë sa me të mëdha në numër në mënyrë që Qeveria ta sheh që jeta e saj dhe vendimeve të saj nuk është e gjatë”, u shpreh Ymeri.

Por, para se të nisin protestat, për Ymerin e rëndësishme është që të bëhet e ditur te qytetarët se me këtë Qeveri dhe këto veprime e vendime të kësaj Qeverie nuk mund të ndryshohet gjendja në vend. Sipas Ymerit, ky koalicion është themeluar për ta dëmtuar Kosovën, gjë të cilën e dinë edhe vet këto dy parti.

“Dy gjëra janë të rëndësishme, koha është e rëndësishme natyrisht, mirëpo me e rëndësishme është që ta kemi të ditur të gjithë qytetarët e Republikës, ata që janë të interesuar të dinë çka po ndodh, natyrisht se shumica e tyre janë të interesuar çka po ndodh me republikën, sepse shumica e qytetarëve janë të pakënaqur me zhvillimet në Kosovë, ta kemi të ditur se Kosova nuk mund të ndryshoj pa ndryshuar qeverisja dhe politika, dhe kjo qeveri sje dhe këto politika nuk ndryshohen me këto dy parti që kanë krijuar koalicionin që menjëherë mori formën e koalicionit të Rashkës kur u fut në të edhe Lista Serbe. Ky koalicion është krijuar për ta dëmtuar Kosovën, pa çka këta nuk e thonë publikisht dhe në mënyrë eksplicite, mirëpo edhe këta janë të vetëdijshëm se janë krijuar për ta dëmtuar Kosovën, sepse janë koalicion që janë krijuar për ta sjell Gjykatës Speciale, për ta rrënuar Kosovën sa i përket gjyqësisë dhe për ta sjellë Zajednicën për ta rrënuar sovranitetin e Kosovës në secilin aspekt të jetës”, theksoi ai.

Me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, Ymeri thotë se kryeministri Mustafa e ka vërë në pikëpyetje pavarësinë e shpallur me 2008, dhe e cila deri me arritjen e këtyre marrëveshjeve ka qenë fakt i pakthyeshëm.

“Në marrëveshjen për energjinë, tek çështja e pronësisë thuhet që Kosova konsideron se është pronare e aseteve që ndodhen në territorin e republikës, ndërkohë që Serbia konsideron që është pronare e aseteve që ndodhin në krahinën e Kosovës. Dhe këtë e ka legjitimuar, sepse e ka nënshkruar kryeministri i Kosovës, në vend se të thuhet që kjo është çështje fakte që nuk diskutohet. Pra nuk diskutohet që Kosova është pronare ai thuhet që ky është mendimi ynë, hajde të diskutojmë mbase kemi të drejtë, mbase nuk kemi të drejtë. Nuk ka të drejtë kryeministri i Republikës, ta vë në mëdyshje Republikën që pretendon ta qeverisë. Prandaj në momentin që kryeministri, vendi ynë mbase është i pavarur, ai më nuk është kryeministër i vendit, vetvetiu Isa Mustafa ka hequr dorë nga të qenit kryeministër”, tha Ymeri.

Për kundërshtimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe demarkacionin me Malin e Zi, sipas kreut të VV-së, nuk do të ndalen pavarësisht se a e mbështesin edhe vendet e BE-së dhe SHBA-ja.

“Mendoj që pavarësisht asaj a e pranojnë apo e mbështesin, a e kanë mbështetur atë, vende të caktuara dhe diplomat të caktuar marrëveshja si e tillë është e papranueshme, sepse e zhbën Republikën e Kosovës dhe e zhbën madje edhe idenë e Kosovës si një republikë dhe si të tilla janë të papranueshme”, theksoi Ymeri.

Kreu i Vetëvendosjes, në pjesën e dytë të intervistës, flet edhe për prapaskenat e VLAN-it, i cili tentoi vitin e kaluar që të marr qeverisjen e vendit, kushtet e presidentes Atifete Jahjaga, përkrahjes së ndryshimeve kushtetue se për themelimin e Forcave të Armatosura, nëse do të hyjnë si të bashkuar tri partitë opozitare në zgjedhjet e ardhshme të bashkuara apo ajo, si dhe shumë të tjera.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *