Zgjidhet kriza e migrantëve. Nisen drejt Serbisë

Zgjidhet kriza e migrantëve. Nisen drejt Serbisë

Zgjidhet kriza e emigrantëve në Gjevgjeli. Policia ka lëshuar të gjithë refugjatët që po i mbante të bllokuar në zonën ndëkufitare Greqi-Maqedoni. Tashmë në territorin e Maqedonisë mund të vëreheshin vetëm grupe të vogla refugjatësh që po mblidhnin forcat për rrugën e gjatë drejt Evropës. Në vendin ku ata pushonin tani po ngriten tenda apo qendra e strehimit të përkohshëm të refugjatëve me qëllim koordinimin sa më të mirë të transferimit të tyre në kufirin me Serbinë . Ministri i Brendshëm Mitko Çavkov dhe ai i mbrojtjes Zoran Jolevski kanë qëndruar në Gjevgjeli për të ndjekur nga afër krizën me refushatët që për dy ditë pushtuan mediat botërore për ndërhyrjes me forcë të policisë për parandalimin e depërtimit të tyre në Maqedoni. Jolevski tha se nuk dihet se sa refugjatë të tjerë mund tia mësynë Maqedonisë por vendi duhet të jetë i gatshëm për gjithçka.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë po bën gjithçka që ti pranojë refugjatët me aq mjete sa kemi në dispozicion. Shpresoj se do të krijohet një strategji e përbashkët për tërë Evropën. Shumica e këtyre emigrantëve dhe refugjatëve vijnë nga Greqia. Vetëm sot në mëngjes kanë ardhur afro 450 emigrantë të tjerë. Ne do të vazhdojmë që ti dalim në ndihmë armatës”, tha Zoran Jolevski, ministër i mbrojtjes

Ndërkohë refugjatët që kishin marrë rrugën nga Gjevgjelia në orët e pasditës arritën në stacionin hekurudhor në Tabanoc që ndodhet pranë kufirit me Serbinë.

“Me dy trena të stërmbushur, autobusë e taksi, mijëra emigrantë arritën sot këtu në stacionin e trenit në Tabanoc. U ndalën vetëm për disa çaste për të pushuar dhe menjëherë morrën rrugën drejtë Serbisë”

Edhe pse të rraskapitur, refugjatët nuk kursenin buzëqeshjet kur flisnin me ekipet humanitare dhe gazetarët. Ata rrëfenin tmerret dhe mundin që kanë përjetuar gjatë udhëtimit të tyre deri në Maqedoni që ka zgjatur 15 ditë.

“Kishim problem për shkak të numrit të madh të refugjatëve në kufirin e Maqedonisë pasi që gjithkush donte të hypë në tren. Sirianët, afganët dhe shumë shtete të tjera. Ishte problem pasi që policia po selektonte njerëzit që mund të shkojnë dhe madje po ndanin familje të tëra. Neve ishim fatlumë të dalim të gjithë së bashku me familjet tona”, deklaroi një emgirant nga Siria.

“Njerëzit në Maqedoni janë të mirë por policia është e keqe. Të gjithë janë të sëmurë. Policët relaksoheshim kurse neve ankoheshim dhe kërkonim ndihmë. Na thonin se po gënjeni dhe na godisnin”, tha një tjetër emigrant.

“Jemi lodhur shumë. Kemi ardhur nga Siria përmes Greqisë. Do të shkojmë në Gjermani pasi që kemi disa familjarë. I kam 4 fëmijë duke udhëtuar tashmë 13 ditë falë Zotit fëmijët nuk janë sëmurë”, theksoi një tjetër emigrant nga Siria.

“Po udhëtoj tashmë një mua. Më së shumti kishim problem në det, prej Turqie në Greqi më pas vetëm bredhnim rrugës. Do të mundohem të shkoj në Gjermani përmes Hungarisë”, emigrant nga Siria.

Për vetëm 24 orë policia ka regjistruar 1200 refugjatë kryesisht nga Siria, Iraku, Afganistani por ka edhe shumë të tjerë që nuk janë regjistruar fare nën presionin e kapjes së mjeteve të transportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *