Zgjidhet prokuror i ri special, Katica Janeva!

Zgjidhet prokuror i ri special, Katica Janeva!

Pas bisedimeve të lodhshme disaditore, Maqedonia u zgjua sot me prokuror të ri special dhe ligj për rregullimin e punës dhe kompetencave të tij. Prokurorja publike në Prokurorinë e Gjevgjelisë Katica Janeva ka qenë emri për të cilin palët zgjatën dorën në orën 5 të mëngjesit. Marrëveshja është arritur vetëm pas arritjes së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev në Klubin e Deputetëve, rreth orës 3 pas mesnate. Fillimisht liderët kanë harmonizuar qëndrimet për Ligj të posaçëm për Prokurori Speciale, ndërsa më pas edhe për emërimin e Janevës, që ka qenë propozim i pranueshëm për të dyja palët.

Emri i 50 vjeçares Katica Janeva është relativisht i panjohur për opinionin në vend. Është emëruar prokurore në vitin 2003, por nuk ka qenë e përfshirë në ndonjë proces të bujshëm gjyqësor. Ajo ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme profesionale, mes të cilave edhe në SHBA dhe Evropë. Burime nga bisedimet thonë se marrëveshja për emrin është arritur më lehtë se sa për përmbajtjen e ligjit.

Nga ana tjetër, Ligji i cili do të jetë në fuqi në 5 vitet e ardhshme, është mishërim i propozimeve të ndryshme, nga pushteti dhe opozita, por edhe faktori ndërkombëtar. Sa i përket çështjes kryesore, numrit dhe mënyrës së caktimit të prokurorëve, është pranuar propozimi ndërkombëtar, që Prokurori Special të vendos vetë për numrin e bashkëpunëtorëve.

Ligji i jep të drejtë të plotë prokurores speciale Katica Janeva që në çdo kohë dhe në çdo fazë të procedurës t’i marrë cilëndo lëndë, cilitdo prokuror të prokurorisë publike.

“Me kërkesë të Prokrurisë Speciale, prokuroritë publikë janë të obliguara që në afat prej 8 ditësh, të dorëzojnë cilëndo lëndë në të cilën punojnë, që të vendoset nëse lënda bën pjesë në kompetencat e Prokurorit Special Publik, në pajtim me kompetencat e saj të caktuara me këtë ligj”, thuhet në Nenin 11, alinenë 2 të ligjit.

Janeva duhet që periudhën në vazhdim të zgjedhë jo vetëm prokurorët, por edhe administratën dhe bashkëpunëtorët profesionalë.

“Prokurori Publik do të propozojë listë kandidatësh në Këshillin e Prokurorëve Publik, nga radhët e prokurorëve aktual për zgjedhje në Prokurorinë Publike. Këshilli do t’i zgjedh prokurorët në seancë ku janë të pranishëm të paktën 2/3 nga numri i përgjithshëm i anëtarëve, me çka duhet të ketë edhe shumicë votash nga anëtarët që janë pjesë e bashkësive etnike që nuk janë shumicë”, thuhet në Nenin 9, alinenë 2 të propozim ligjit.

Buxheti për 3 muajt e ardhshëm do të sigurohet me ri-alokim nga buxheti aktual i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa për periudhën e mëvonshme do të miratohet buxhet i posaçëm në kuadër të buxhetit për vitin 2016.

Siç mëson Alsat M, ligji përmban gjithashtu garanci të plota për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në të gjitha nivelet e prokurorisë speciale, si mes prokurorëve ashtu edhe në administratë. Gjithashtu Prokurori Special dhe prokurorët shtesë do të zgjidhen me shumicën e Badenterit, për shkak se pjesëmarrësit në bisedime dhe mbi të gjitha faktori ndërkombëtar, kanë konsideruar se kjo është mënyra e vetme që të fitojë legjitimitet të plotë dhe besim edhe tek popullata shqiptare në vend.

Ligji parashikon autonomi të plotë për prokurorinë speciale, duke i siguruar pavarësi nga prokuroria shtetërore publike, në çdo aspekt të mundshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *