Zhbllokohet xhiro – llogaria e Komunës së Gostivarit

Zhbllokohet xhiro – llogaria e Komunës së Gostivarit

Gjatë ditës së sotme është zhbllokuar xhiro – llogaria e Komunës së Gostivarit. Informacionin e konfirmojnë nga pusheti lokal, prej ku thonë se kjo do të vlejë për tre muajtë e ardhshëm.

Para një jave autoritetet financiare kishin bllokuar llogarinë rrjedhëse të Komunës së Gostivarit për shkak të borxhit ndaj zjarrfikësve në Gostivar, të cilëve për disa vite u ishin paguar paga 20 përqind më pak se parashikon ligji.

Për rastin në fjalë është prononcuar edhe Ministria e Financave. Zëvendësministrja e Financave, Shiret Elezi, tha se tani e tutje, për shkak të rrethanave të krijuara si pasojë e përhapjes së koronavirusit, nuk do ketë përmbarime nga llogaritë bankare të komunave.

“Ligji për përmbarimin pezullohet deri në fund të qershorit dhe në këtë mënyrë ndihmohen, përveç qytetarët, edhe komunat e vendit për realizimin e obligimeve të tyre operative-rrjedhëse që të mund të ndërmarrin të gjitha aktivitete e nevojshme për luftimin e pandemisë së Covid-19”, tha Elezi.

Ajo saktëson se Ligji i Përmbarimit pezullohet nga një prilli e deri në mbarim të muajit qershor. Konform kësaj, agjentët e përmbarimit janë të detyruar të ndërpresin veprimet e zbatimit.

Huadhënësit dhe kryerësit e operacioneve të pagesave, po ashtu ,obligohen të ndalojnë veprimet e tyre, sipas urdhëresave të lëshuara nga agjentët e përmbarimit deri në fund të qershorit.

“Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur mjetet janë depozituar tek agjentët të përmbarimit si dhe rastet që kanë të bëjnë me alimenatcionet për fëmijët që jetojnë tek prindërit e vetëm”, tha Elezi.

Në seancën e së martës Qeveria miratoi paketën e dytë të masave ekonomike me qëllim të zbutjes dhe përballimit të pasojave si rezultat i pandemisë së koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *