Shkup, 16 korrik – Numri i rasteve të reja me KOVID-19 është rritur në periudhën e kaluar. Dje janë regjistruar 504 raste të reja nga 1385 testime, por nuk është shënuar asnjë vdekje. Sipas Komisionit për Sëmundjet Infektive, shteti ndodhet në një zonë të gjelbër me kapacitete të mjaftueshme për kujdesin ndaj pacientëve dhe nuk nevojiten masa kufizuese shtesë.
Në mbledhjen që Komisioni e mbajti dje, u diskutua çështja e disponueshmërisë së testeve për Kovid-19, me rekomandim për dyfishimin e kapaciteteve testuese të institucioneve përgjegjëse për të.
“Sipas metodologjisë për përcaktimin e rrezikut nga Kovid-19, merret parasysh edhe përqindja e rasteve të shtruara në spital, përqindja e shtretërve spitalorë falas, si dhe numri i të sëmurëve rëndë dhe vdekjeve nga Kovid-19. Është konstatuar se Maqedonia e Veriut ndodhet në një zonë të gjelbër me kapacitete të mjaftueshme për kujdesin e pacientëve me Kovid-19. Rritja e numrit të rasteve të reja është 79,9 për qind”, njoftoi dje Ministria e Shëndetësisë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre, të shmangin vizitat në ambiente të mbyllura dhe të paajrosura, përveç rasteve kur është e nevojshme dhe në këto raste rekomandohet vendosja e maskës mbrojtëse dhe mbajtja e distancës.
Aktualisht në vend janë 2490 raste aktive. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID-19 që nga fillimi i epidemisë është 318.138, ndërsa numri i të shëruarve është 306.309.