LajmeMaqedoni

Nënshkruhen kontratat për policët e rinj nga gjenerata e kandidatëve policorë 2023/2024

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, së bashku me kryesinë e SPB Shkup, morën pjesë në nënshkrimin e kontratave për policët e rinj të cilët ishin pjesë e gjeneratës së kandidatëve për policë 2023/2024 dhe të njëjtit tani janë pjesë e policisë së Maqedonisë, në Sektorin e Punëve të Brendshme Shkup.

Duke i uruar policët e rinj, ministri Toshkovski theksoi se në këtë mënyrë po krijojmë një forcë policore profesionale që do të garantojë sigurinë e qytetarëve

“Të jeni në shërbim të qytetarëve, një forcë policore që do të sigurojë dhe mundësojë të gjitha liritë dhe të drejtat qytetare. Për të luftuar krimin, duhet të jesh i sinqertë. Bëhuni pjesë e drejtësisë, qëndroni besnikë ndaj ligjit dhe mbroni interesat e qytetarëve dhe shtetit. Në punën tuaj të mëtutjeshme duhet të veproni në mënyrë të barabartë dhe të pavarur nga bindjet personale, bindjet fetare, përkatësisë etnike… Diskriminimi në çfarëdo baze është i ndaluar”, tha ministri Toshkovski.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni dhe zëvendësdrejtori i BSP-së Arben Jashari, së bashku me udhëheqësinë e SPB Tetovë, morën pjesë në nënshkrimin e kontratave të policëve të rinj që u bënë pjesë e policisë së Maqedonisë, në Sektorin e Punëve të Brendshme Tetovë, ku zëvendësministri theksoi se policia duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve në vendin tonë.

“Urime të sinqerta për policët e rinj. Ju jeni këtu në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit. Të ruajmë rendin, paqen dhe të luftojmë çdo lloj kriminaliteti”, ka theksuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

Sekretari shtetëror në MPB, Sasho Petrushevski, kolegëve të rinj në radhët e policisë në Sektorin e Punëve të Brendshme të Kumanovës, u uroi mirëseardhje të ngrohtë dhe shumë lumturi personale dhe suksese në zhvillimin e tyre profesional.

“Me pranimin e kësaj gjenerate të policëve do të përforcohet seriozisht potenciali i personelit të MPB-së, ndërsa kolegët e rinj do të jenë rifreskues profesional në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ndër të tjerave sekretari shtetëror Petrushevski.

Nga ana tjetër në Manastir, në rrethin e Sektorit të Punëve të Brendshme të Manastirit, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ka uruar shtatëdhjetë policët e saporekrutuar për kontratat e punës, ndërsa kadetëve të djeshëm u ka thënë që uniformat policore t’i veshin me krenari, nder dhe dinjitet.

“Ju kërkohet që të jeni përfaqësues të besueshëm jo vetëm të profesionit të policisë, por edhe të Ministrisë në tërësi dhe se ndershmëria dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve në shërbim të të cilëve jemi, duhet të jetë parësore në punën dhe veprimet e juaja profesionale”, theksoi drejtori Janev.

Në vitin e kaluar, kandidatët kanë qenë pjesë e trajnimit bazë për nëpunës policorë, i cili është zhvilluar në Qendrën për Trajnim të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë trajnimit, kandidatët treguan përkushtim të jashtëzakonshëm dhe arritën rezultate mjaft të mira.

 

Show More

Related Articles

Back to top button