Prokuroria Themelore Publike në Shkup njoftoi se sot ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për vrasjen e hendbollistit Denis Tot.
“Pas procedurës hetuese të zbatuar, Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot ngriti Aktakuzë kundër tre personave për veprën penale ‘vrasje’ nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal”, bëhet e ditur në kumtesën e PTHP Shkup.
Siç bëhet e ditur në kumtesë, sipas aktit të akuzuarit akuzohen se më 7 prill para një klubi të natës në Parkun e qytetit në Shkup bashkërisht e kanë privuar nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.
“Pas një zënke të shkurtër, që të tre i kanë shkaktuar shumë goditje dhe lëndime të rënda trupore prej të cilave te i dëmtuari së pari është shkaktuar gjendje kome, ndërsa ditën e nesërme kishte ndërruar jetë”, shtohet në kumtesë.
Nga PTHP e Shkupit informojnë edhe se prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka dorëzuar edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për tre të akuzuarit, sepse ende ekzistojnë rrethanat për shkak të të cilave ajo masë iu ishte përcaktuar gjatë hetimit.