LajmeMaqedoni

Elisa Spiropali në Shkup: Cenimi i gjuhës shqipe, cenon identitetin e shqiptarëve

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku ka realizuar takim me homologun Afrim Gashi. Pas takimit në konferencën e përbashkët me Gashi, Spiropali ka folur edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet përdorimi i gjuhës shqipe. Ajo tha se shpreson që të zbatohet plotësisht ligji, duke shtuar se cenimi i gjuhës shqipe në çfarë do forme, cenon identitetin e shqiptarëve.

Spiropali tha se shpreson që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të jetë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Një lloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht edhe Ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne, është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim se dhëmb shumë dhe cenon këtë identitet që në ofrojmë në këtë botë të madhe në rajon e më tej si vlerën tonë”.

“Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për mundësinë e ndryshimeve të mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha Elisa Spiropali.

Ndryshe, gjatë muajit tetor pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve./Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button