Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri sot ka shqyrtuar propozim ndryshimet për Ligjin për shërbim në armatë, të cilat pas miratimit kanë hyrë në seancë plenare. Shumica parlamentare refuzoi propozimin e Aleancës për Shqiptarët që si pjesë e këtyre ndryshimeve, të ndryshohet edhe neni 5 që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe deklaroi pas seancës së komisionit se, me mospërfshirjen e nenit 5, gjuha zyrtare do të mbetet vetëm gjuha maqedonase me ligj edhe pse ministria e Mbrojtjes e ka obligim ligjor dhe kushtetues që të zbaton edhe gjuhën shqipe.
“Propozimi im për tërheqje dhe përmirësim të këtyre propozim ndryshimeve u refuzua. Pra, fatkeqësisht edhe deputetët e BDI-së u rreshtuan së bashku me deputetët e VMRO-së dhe LSDM-së. //Fatkeqësisht kemi një hipokrizi dhe jo sinqeritet, mos-ndryshim të mentalitet këtu në shtetin tonë për shkak se, gjithë së bashku angazhohemi për mbrojtjen e gjuhës maqedonase e nga ana tjetër pikërisht kjo Qeveri vazhdon diskriminimin në lidhje me gjuhën shqipe”, deklaroi Halil Snopçe nga ASH.