Senati amerikan me shumicë dërrmuese mbrëmë hodhi poshtë tre rezoluta me të cilat do të ishin ndaluar disa nga shitjet e armëve sulmuese ndaj Izraelit në përgjigje të “mizorive të vazhdueshme” që po kryhen në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Masat, të njohura zyrtarisht si ‘Rezoluta të përbashkëta të mosmiratimit’, u prezantuan nga senatori i pavarur Bernie Sanders. Ata do të kishin bllokuar një shitje në vlerë prej 774,1 milionë dollarë të municioneve të tankeve 120 mm, 61,1 milionë dollarë në predha mortajash me eksploziv të lartë 120 mm, si dhe 262 milionë dollarë në komplete JDAM.
Për të gjitha këto shitje, Kongresi i SHBA-së u njoftua gjatë pushimit të verës në muajin gusht.
Afërsisht një e pesta e Senatit Amerikan votoi në favor të rezolutës gjatë raundeve të veçanta të votimit. Votimet përkatëse ishin 18-79, 17-57 dhe 17-80. Megjithatë, ato përfaqësojnë një kritikë të rëndësishme për presidentin Joe Biden pasi shumica e votave që votuan ‘pro’ ishin nga kolegët e tij demokrat, si dhe nga të pavarurit me të cilët ata kanë grupe parlamentare.
“Ajo që ka bërë kjo qeveri ekstremiste në Gaza është e papërshkrueshme, por ajo që e bën edhe më të dhimbshme është se pjesa më e madhe e kësaj është bërë me armët amerikane dhe dollarët e taksapaguesve amerikanë. Vetëm në vitin e fundit, SHBA-ja i ka dhënë Izraelit 18 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe dërgoi më shumë se 50 mijë tonë pajisje ushtarake”, tha Sanders përpara votimeve.
“SHBA është bashkëpunëtore në të gjitha këto mizori. Ne po i financojmë këto mizori. Ky bashkëpunim duhet të marrë fund”, shtoi ai.
Disa nga ligjvënësit që votuan kundër bllokimit të shitjes së pajisjeve JDAM, që përdoren për të rritur precizitetin e bombave dhe municioneve, vunë në pikëpyetje pse dikush do të ishte kundër dërgimit të këtyre pajisjeve në Izrael.
“Me sa duket, senatori Sanders do të preferonte që izraelitët të përdorin armë më pak të sakta për të eliminuar terroristët”, tha senatori republikan, Ted Budd.
“Nuk duhet asgjë më shumë se një arsye e shëndoshë për të kuptuar se kjo do ta bënte dëmin kolateral më shumë të mundshëm. Në zellin e senatorit Sanders për të penguar aleatin tonë, ai do ta bënte më të mundshme të vriteshin civilët palestinezë, të cilët Hamasi i përdor qëllimisht si mburoja njerëzore”, shtoi ai.
Në përgjigje, Sanders tha se Izraeli ka përdorur pajisjet JDAM për të shënjestruar shkollat e drejtuara nga OKB-ja “të mbushura me njerëz të zhvendosur” dhe qendrat e refugjatëve, sulme që kanë vrarë një “numër të madh njerëzish të pafajshëm”.
“Një bombë inteligjente nuk shpëton jetë civilësh kur synon drejtpërdrejt civilët”, tha ai.
Scott Paul, drejtori i programit të paqes dhe sigurisë në Oxfam America, tha se dështimi në Senat përfaqëson një “tjetër zhgënjim të hidhur”, megjithatë sipas tij, votat tregojnë se “më shumë senatorë demokrat dhe më shumë njerëz në të gjithë SHBA-në nuk janë të gatshëm të jenë bashkëpunëtorë në mizoritë që Izraeli po kryen në Gaza”.
“Është torturuese që ky ndryshim po ndodh shumë ngadalë për të shpëtuar jetë sot, por tregon për një të ardhme në të cilën SHBA-ja është e përkushtuar, në politikë dhe jo vetëm në retorikë, për një të ardhme dinjitoze për të gjithë palestinezët dhe izraelitët”, shkroi Paul në platformën sociale X.
Rreth 44 mijë njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza në luftën që po zgjat mbi një vit, pas një sulmi ndërkufitar të 7 tetorit të vitit 2023 nga Hamasi.
Kufizimet izraelite në ofrimin e ndihmës humanitare shumë të nevojshme kanë përkeqësuar krizën që tashmë ishte e rëndë para fillimit të konfliktit aktual, por që është përkeqësuar në mënyrë eksponenciale në muajt që pasuan.