Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për të përjavshmen “Fokus” ndër të tjera ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili së fundi ka përsëritur se disponimi i popullit maqedonas është i kundërt me kursin euroatlantik të elitës politike. Siç thotë Pendarovski, këto janë deklarata provokuese të cilat, sipas tij, janë pjesë e propagandës politike, transmeton Portalb.mk.
“Të gjitha institucionet shtetërore e dinë se Rusia përziet në punët tona të brendshme. Herën e fundit me pjesëmarrje intensive përmes njerëzve të vet, subjekteve të veta politike, instalacioneve të veta. Nga fqinjësia vijnë njerëz që janë agjentë rusë, pra njerëz në shërbimin rus. Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme, por rusët po përpiqen të ndikojnë edhe përmes atyre kërcënimeve, të quajtura moderne hibride, përmes propagandës politike”, thotë Pendarovski.
Ai tregon se në organet kompetente ka informacione për persona që kanë ardhur për të provokuar protestat e fundit qytetare, por edhe për financimin e “disa subjekteve politike”. Në të njëjtën kohë, Pendarovski nuk zbulon se për cilat subjekte bëhet fjalë, por thekson se janë “disa subjekte në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën prej disa vitesh”.
“Përderisa artikulohet politikisht në institucione, është mirë dhe është demokratike. Por më duhet të them se është vërtet e çuditshme që pak ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, E majta thirri ambasadorin rus në Parlament dhe e nderoi për kontributin e tij në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që është e paprecedentë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë parlament evropian”, thotë Pendarovski në intervistën për “Fokus”.
Lidhur me ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë, kreu i shtetit thotë se askush nuk ka një vlerësim se kur do të përfundojë ajo luftë. Por siç shton ai, të gjitha vlerësimet tregojnë se konflikti do të vazhdojë, i cili, paralajmëron ai, do të shkaktojë reaksione zinxhirore në mbarë botën në shumë fusha.
Për të njëjtën çështje, kreu i shtetit ka folur edhe në fillim të këtij muaji kur në një intervistë për gazetën greke Etnos, tha Rusia prodhon kërcënime jashtëzakonisht serioze hibride për të gjithë rajonin e Ballkanit, veçanërisht propagandë politike dhe fushatë dezinformimi.