Të punësuarit në fabrikën e automjeteve hekurudhore “Veles” më saktë “Kolska” sot bashkë me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë kanë protestuar para Drejtorisë së të Ardhurave Publike, përcjell TV21. Përfaqësuesit e fabrikës thonë se në kushte të këtilla fabrika do të duhet të shkojë drejt mbylljes ndërsa kjo do të paraqet shpenzime shtesë për shtetin, ata shprehin revoltën e tyre ndaj DAP për shkak të bllokimit të xhirollogarisë së fabrikës, si dhe ndaj Qeverisë dhe Ministrisë kompetente të Transportit dhe Lidhjeve për moszgjidhjen e statusit të kësaj kompanie shtetërore prej vitesh.
“Dje LSM e ka paraqitur shtetin deri tek Inspektorati për Punë, ku ka theksuar dhe kërkuar që të kryhet mbikëqyrje e caktuar inspektuese pasi paga minimale jepet nën zgjidhjen ligjore, kjo do të thotë se punëtorët tanë marrin paga nën 18.000 denarë”, tha mes tjerash kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
“Po shkon drejt mbylljes. Kjo do të thotë shpenzime shtesë për shtetin, duhet të çojnë pjesët nëpër Bullgari, Serbi. Do të thotë ikje e parave tona”, tha mes tjerash Toni Arsovski nga “Kolska”.