Kaluan gati dy vjet nga zbatimi i projektit “Aktivizimi i grupeve të cënueshme në tregun e punës”, dhe që atëherë e deri më sot, sipas të dhënave të Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV), janë përpunuar 3.075 plane individuale për aktivizim të qytetarëve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Projekti realizohet nga Agjencia për punësim në bashkëpunim me qendrat për punë sociale dhe qendrat e punësimit në komunat në nivel RMV-së.
Hartimi i një plani individual është hapi i parë që ndërmarrin qendrat dhe Agjencia për hapjen e një procesi dhe qasjen ndaj një personi – përfitues i ndihmës minimale të garantuar (NMG), që më vonë parashikon veprimet që duhet të ndërmerren, me qëllim që personi më shpejt të integrohet në tregun e punës.
Në periudhën kur filloi të zbatohej ky projekt, në shtator 2019, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vend ishin 13.361 të papunë dhe 47.434 qytetarë joaktivë që përfitonin ndihmë sociale. Numri në dy vitet e ardhshme rritet ndjeshëm dhe në vitin 2020 dyfishohet numri i të papunëve që përfitojnë ndihmë sociale, pas së cilës në vitin 2021 ishin 26.964 persona të papunë dhe 52.445 persona joaktivë nga kjo kategori.