Maqedonia e Veriut e ka mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, me çka edhe zyrtarisht i ka filluar negociatat për anëtarësim në Union.
Pas konferencës së parë ndërqeveritare, Komisioni Evropian menjëherë e ka filluar edhe procesin e skriningut, i cili përmban 35 kapituj. Telegrafi Maqedoni do t’iu informojë për përmbajtjen e secilit kapitull nëpër të cilët duhet të kalojë Maqedonia e Veriut.
Kapitulli i 32-të: Kontrolli financiar
Acquis sipas këtij kapitulli lidhet me miratimin e kornizave dhe standardeve të njohura ndërkombëtarisht, si dhe me praktikën e mirë të BE-së, për kontrollin e brendshëm financiar publik (KBFP), bazuar në parimin e llogaridhënies së decentralizuar menaxheriale. KBFP duhet të zbatohet në të gjithë sektorin publik dhe të përfshijë kontrollin e brendshëm të menaxhimit financiar të fondeve kombëtare dhe të BE-së. Në veçanti, ky acquis kërkon ekzistencën e sistemeve efektive dhe transparente të menaxhimit, duke përfshirë marrëveshjet e llogaridhënies për arritjen e objektivave; auditim i brendshëm funksionalisht i pavarur; dhe strukturat përkatëse organizative, duke përfshirë koordinimin qendror të zhvillimit të KBFP në të gjithë sektorin publik. Ky kapitull kërkon gjithashtu institucion auditimi të jashtëm të pavarur institucionalisht, operacionalisht dhe financiarisht, i cili zbaton mandatin e tij të auditimit në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe i raporton parlamentit mbi përdorimin e burimeve të sektorit publik. Përveç kësaj, ky kapitull mbulon gjithashtu mbrojtjen e interesave financiare të BE-së kundër mashtrimit në menaxhimin e fondeve të BE-së dhe mbrojtjen e euros kundër falsifikimit.
Ndryshe, përveç kapitujve të BE-së, Maqedonia e Veriut ka nënshkruar edhe protokoll me Bullgarinë, i cili përmban gjithashtu disa rekomandime dhe detyrime, të cilat duhet të plotësohen nga të dy shtetet, për të mos pasur pengesa në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE./Telegrafi/