BotaLajme

 86 ditë luftë: Senati miraton paketën rekord për Ukrainën


Bombardimet ruse në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk, i kanë marrë jetën të paktën 13 civilë në 24 orët e fundit. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut, Serhiy Hayday, sipas Reuters.

Shumica u vranë në Severodonetsk, një qytet strategjikisht i rëndësishëm për rusët, pasi kontrolli i tij do t’i mundësonte Rusisë të shkonte drejt perëndimit dhe të lidhej me forcat ruse që shtyjnë në juglindje të Izyum.

Zyrtarët amerikanë po konsiderojnë armatosjen e ushtrisë ukrainase me raketa të avancuara kundër anijeve, raporton agjencia e lajmeve Reuters. Duke cituar zyrtarë të administratës së Biden, raporti thotë se Shtëpia e Bardhë mund t’i ofrojë Kievit Boeing Harpoon dhe raketa Naval Strike me të cilat të synojnë Flotën e Zezë Ruse, e cila aktualisht po bllokon portet e Ukrainës.

Zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se rreth 20 anije të marinës ruse, duke përfshirë nëndetëse, janë aktive në rajon.

Zyrtarët besojnë se armët mund të ndihmojnë që anijet ruse të largohen nga territori ukrainas dhe të lejojnë rifillimin e dërgesave të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore.

Por raketat, të cilat kushtojnë rreth 15 milionë dollarë për raund dhe kanë një rreze veprimi prej 300 km, janë kryesisht raketa me bazë në det, që do të thotë se Ukraina mund të përballet me vështirësi për ta gjuajtur nga bregu.

Senati amerikan ka votuar për të miratuar një projekt-ligj të ri prej 40 miliardë dollarësh për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Kjo është paketa më e madhe e ndihmës emergjente deri më tani për Ukrainën.

Paketa e çon ndihmën totale të SHBA në më shumë se 50 miliardë dollarë, përfshirë 6 miliardë dollarë për asistencë sigurie si trajnime, pajisje, armë dhe mbështetje.

Projektligji, i cili u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve me mbështetje të gjerë dy partiake më 10 maj, pritej të miratohej në fillim të kësaj jave, por u bllokua nga republikani i Kentakit Rand Paul për një mosmarrëveshje rreth mbikëqyrjes së shpenzimeve.

Por udhëheqësi i Senatit republikan, Mitch McConnell hodhi poshtë këto shqetësime dhe u tha gazetarëve se Kongresi kishte një “përgjegjësi morale” për të mbështetur “vetëmbrojtjen e një demokracie sovrane”. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vlerësoi paketën e ndihmës si “një kontribut të rëndësishëm të SHBA për rivendosjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë, Evropë dhe botë”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin ukrainas të Donbasit, teksa Moska ka intensifikuar ofensivën në lindje.

Gjatë një adresimi në orët e vona të 19 majit, Zelensky po ashtu akuzoi forcat ruse se po tentojnë të vrasin sa më shumë ukrainas dhe të shkaktojnë sa më shumë dëme që munden, duke përsëritur akuzat se Rusia po kryen gjenocid.

“Atje është ferr – dhe ky nuk është ekzagjerim”, tha ai, duke shtuar se 12 persona janë vrarë “në bombardimet brutale dhe absolutisht të pakuptimta” në Severodonjeck më 19 maj.

Ka “sulme ajrore të vazhdueshme në rajonin e Odesës, në qytetet në qendër të Ukrainës. Donbasi është i shkatërruar plotësisht”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha më 20 maj se Rusia ka të ngjarë që të përforcojë operacionet e saj në rajonin e Donbasit, pasi të sigurojë qytetin e Maariupolit.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe pasi në javët e para dështoi që të merrte nën kontroll Kievin dhe qytete të tjera kyçe, Moska përqendroi ofensivën e saj në rajonin lindor të Donbasit.

Në të dhënat e përditësuara për luftën në Ukrainë, inteligjenca ushtarake britanike tha se pothuajse 1,700 ushtarë ukrainas janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.

Rusia të enjten tha se 1,730 ushtarë ukrainas janë “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina ka thënë se dëshiron të këmbejë të burgosurit, por nuk ka komentuar më shumë për këtë temë, pasi ka argumentuar se mund të vë në rrezik përpjekjet e shpëtimit.

Zelensky tha se më 19 maj ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një sërë çështjesh, përfshirë edhe ndihmën financiare për ekonominë e shkatërruar ukrainase, eksportet e agrikulturës dhe “evakuimin e heronjve tanë nga Azovstali”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka njoftuar se ka filluar që të regjistrojë luftëtarët ukrainas që janë larguar nga Azovstali si të burgosur të luftës.

Raportohet se të gjithë luftëtarët e larguar nga Azovstali janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende është e paqartë se edhe sa ushtarë gjenden në fabrikë, por qyteti i Mariupolit tani është nën kontrollin rus.

Luftëtarët në Azovstal ishin qëndresa e fundit në Mariupolin e shkatërruar nga bombardimet ruse. Ukraina urdhëroi që luftëtarët të dorëzonin armët dhe të largoheshin nga fabrika.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje që Rusia dhe Ukraina të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund rrethimit dhe për të mundësuar evakuimin.(REL)

Show More

Related Articles

Back to top button