Qeveria miratoi masa për kursimin e energjisë elektrike deri në 15 për qind, përcjell TV21. Për amvisëritë dhe kompanitë do të ketë rekomandime ndërsa për institucionet shtetërore do të ketë detyrime specifike që duhet të respektohen nga punonjësi, në të kundërt të njëjtit do të sanksionohen.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se masat do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori i këtij viti dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2023.
“Para nesh është një nga dimrat më të vështirë në aspektin energjetik, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet e rajonit, por edhe të Evropës. Për ta bërë më të lehtë ballafaqimin me atë që na pret, për furnizim të pandërprerë me energji elektrike, për konsum racional dhe fatura më të ulëta, ne kemi përgatitur një plan dhe rekomandime për kursimin e energjisë elektrike. Masat ndahen në disa kategori, varësisht nëse janë për amvisëri, kompani apo objekte, institucione dhe ndërmarrje shtetërore. Objektivi është ulja e konsumit me 15 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Nëse ky synim nuk arrihet, sipas kodit të etikës dhe të gjitha dekreteve, do të pasojnë sanksione të caktuara për të gjithë drejtuesit e institucioneve”, tha Bekteshi.
Masat përfshijnë fikjen e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, fikja e dritave kur ka dritë të mjaftueshme, në sezonin e ftohjes kondicionerët duhet të vendosen jo më poshtë se 27 gradë, dhe në sezonin e ngrohjes jo më shumë se 20 gradë, fikja e kompjuterëve pas punës, ndërrimi i rregullt i filtrave të aparateve për ngrohje dhe kondicionerëve, printimi vetëm i materialeve të nevojshme, zëvendësimi i dritareve me dritare për energji efikase.