Nënshkrimi i marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e deponive rajonale, sipas standardeve të BE-së në pesë rajone të vendit do të jetë i mundur vetëm pasi Kuvendi i RMV të miratojë Ligjin për Huazim, njoftojnë për Meta.mk nga Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, shkruan Meta.mk.
“Ligji është ende në procedurë parlamentare, prandaj nuk mund të flasim për afat kohor, sepse të gjitha aktivitetet do të vijojnë pas Kuvendi i RMV-së të shpreh qëndrimin për këtë huazim”, bëjnë të ditur nga Ministria.
Ndryshe, Qeveria më 20 maj të këtij viti e ka dorëzuar në Kuvend Propozim-Ligjin për huamarrje kredi nga BERZH për financimin e projektit rajonal për mbetjet e ngurta. Ky ligj, në Kuvend miratohet me procedurë të shkurtuar dhe aktualisht është në lexim të dytë, kurse deputetët nuk e kanë miratuar ende, që pastaj të nënshkruhet marrëveshja me BERZH-in për marrjen e huas. Pas kësaj duhet të pasojë shpallja e tenderit ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanive që do të ndërtonin deponitë rajonale në secilin rajon veç e veç.
Me kredinë e BERZH-it, Maqedonia duhet të fillojë të zgjidhë problemin e krijimit të sistemeve rajonale për menaxhim të mbetjeve, gjë që është vonuar për një dekadë e gjysmë. Nga BERZH do të huazojmë 55,3 milionë euro, të cilat duhet të përdoren për të ndërtuar deponinë e re rajonal “Rusino” për rajonin e Pollogut, deponinë rajonale në një pjesë të sipërfaqes së ish-minierës së qymyrit “Suvodol” për rajonin e Pellagonisë dhe Jugperëndimit, si dhe një deponi të re rajonale në komunën e Vasilevës për rajonin e planifikimit Juglindor dhe atë të Vardarit.
Krahas ndërtimit të deponive rajonale, me këtë hua do të ndërtohen edhe stacionet për transferim në të gjithë komunat e vendit, kurse për të gjitha komunat e pesë rajoneve, do të blihen kontejnerë për seleksionimin e mbetjeve, automjete komunale për transportin e mbetjeve dhe pajisje të përshtatshme për ndërmarrjet publike komunale.
Projekti do të mundësojë menaxhim modern të mbeturinave për rreth 1 milion banorë në vend, ndërsa nga Bashkimi Evropian krijimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave e kanë vlerësuar si një nga prioritetet kombëtare në procesin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka ndarë 73 pikë për kërkesën e qeverisë për kredinë për ndërtimin e deponive rajonale sipas standardeve të BE-së dhe e ka cilësuar projektin me termat “mirë i menaxhuar” dhe “përfshirës”.
Qeveria e RMV-së në maj të vitit të kaluar informoi se ka dërguar kërkesë për kredi në BERZH për sigurimin e fondeve për të ngritur sisteme rajonale për menaxhim të mbetjeve në pesë rajonet e vendit.
Ndryshe, ndërtimi i deponive rajonale është shtyrë disa herë gjatë periudhës së kaluar, edhe në raste kur mjetet financiare ishin siguruar. Arsyeja më e shpeshtë e shtyrjes dhe vonesave të projekteve janë komunat ku duhet të ndërtohen deponitë rajonale, përkatësisht mospajtimi i tyre për transportimin e mbetjeve në komunat e tyre nga pjesë të tjera të vendit. Shembulli i fundit i tillë është Komuna e Sveti Nikollës, ku duhet të ndërtohet një deponi rajonale për rajonin e planifikimit Lindor dhe Verilindor në fshatin Meçkuevci.
Për shkak të ndryshimeve të shpeshta të lokacioneve ku do të ndërtohen dhe anulimit të projekteve, që janë shkaktuar nga komuna të veçanta, çdo vit vendi është përballur me kritika të vazhdueshme nga Komisioni Evropian në Raportet mbi progresin e arritur në reformat në pjesën e sistemeve për menaxhim të mbetjeve rajonale. Ajo që është më e rëndësishmja, për shkak të mos ndërtimit të deponive rajonale, numri i vendgrumbullimeve të paligjshme të plehrave në të gjithë vendin ndër vite ka shënuar rritje, Deponitë ekzistuese komunale e ndotin tokën, ajrin dhe ujin, kurse qytetarët shpesh ankohen për djegien e mbeturinave të grumbulluara në këto lokacione, duke e ndotur kështu ajrin.