LajmeMaqedoni

Qeveria dëshiron ta mbyllë Muzeun e Alfabetit!

Pa energji, ujë, telefona, me xhirollogari të bllokuara dhe asnjë projekt të miratuar për vitin 2023, Muzeu i Alfabetit në Manastir do të jetë i detyruar të vazhdojë kështu deri në tetor, kur planifikojnë që t’i vënë çelësin institucionit. Keqmenaxhimi i projektit për rikonstruktimin e muzeut me fondet e IPA janë arsyet kryesore të situatës, ku gjendet ky institucion tani dhe indiferencës së instancave më të larta për ta zgjidhur këtë problem. Qeveria, përkundër apeleve, i ik përgjegjësisë për të mbajtur muzeun e vetëm shqiptar

Evis Halili

Shkup, 24 gusht – Muzeut të Alfabetit në Manastir i janë refuzuar të gjitha projektet për Programin e vitit të ardhshëm. Xhirollogaritë e bllokuara që prej muajit shkurt vazhdojnë të komplikojnë funksionimin e institucionit nacional. Pas ngrirjes së xhirollogarive, ndërprerjes me furnizim elektrik, sigurimit të objektit, telefonave dhe realizmit të projekteve vjetore për 2022, Ministria e Kulturës ka informuar institucionin se i ka refuzuar realizimin e draft-programit për vitin e ardhshëm. Sipas drejtorit, Zait  Aliu, situata sa vjen dhe rëndohet, ndërsa përgjegjësinë për situatën e krijuar nuk e merr askush përsipër për të zgjidhur.

“Ngërçi i krijuar prej muajit shkurt kur na u bllokuan xhirollogaritë sa vjen e komplikohet. Nuk arritëm të realizonim asnjë projekt për këtë vit, po mesa duket edhe për vitin tjetër. Ministria e Kulturës na i hodhi poshtë projektet e paraqitura, mes të cilave shënimi i 22 nëntorit, me arsyetimin se xhirollogaritë janë bllokuar. Gjithë këto muaj jemi munduar të ruajmë deri diku funksionimin e institucionit, por që nuk besoj se do të zgjasë më shumë sesa muaji tetor, kur do të duhet të mbyllim muzeun”, thotë për KOHA, drejtori i muzeut Aliu. Keqmenaxhimi i projektit për rikonstruktimin e muzeut me fondet e IPA janë arsyet kryesore të situatës ku gjendet ky institucion tani dhe indiferencës së instancave më të larta për ta zgjidhur këtë problem.

“Nga Ministria e Kulturës na thonë se kjo çështje nuk është në kompetencat e tyre, nga Qeveria s’kemi ndonjë përgjigje konkrete. Kanë kaluar shumë muaj dhe situata mbetet e njëjtë, ndërsa thellohen borxhet, shtohen faturat”, thotë drejtori.  Disa muaj më parë Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale (në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin Ligjvënës) që të hartojë një propozim-vendim për gjetjen e mënyrës për financimin e detyrimeve të mbetura për realizimin e aktiviteteve projektuese IN Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që dalin nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar. Por propozimi nuk është formuluar ende.

Situata precipitoi në këtë formë në fillim të muajit shkurt pasi kompania që u mor me punimet rikonstruktuese nuk u likuidua për punën e kryer, konkretisht për  shumën 100 mijë euro, që kontraktuesit duhej t’i likuidohej për të përfunduar punimet.  IPA, që është donatori kryesor i projektit  lëshoi 35 për qind të shumës, ndërsa pjesën tjetër, sipas marrëveshjes  pasi të kishin përfunduar punimet dhe verifikimit të faturave për punimet e kryera. Në ndërkohë Muzeu duhej të kishte siguruar shumën prej 100 mijë eurosh për të shlyer kompaninë e ndërtimit. “Paratë sërish do të jepeshin nga IPA pasi të certifikoheshin shpenzimet për punimet e kryera, pasi Muzeu nuk ka burim të ardhurash të tjera nga t’i marrë. Ende presim nga Qeveria që të miratojë një fond”, thotë drejtori Aliu.

Rikonstruktimi i Muzeut u realizua në kuadër të projektit “Muzetë që lidhin kulturat dhe popujt”, Programit për bashkëpunimit ndërkufitar “Greqi-Maqedoni 2014-2020” në suaza të Marrëveshjes për Partneritet, me vlerë prej 780.682 euro në total. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button