Sot në Shkup me fillim nga ora 17:00, në sheshin Skënderbeu pritet të mbahet protestë nën moton “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”. Protesta e sotme vjen pas ngjarjes së tmerrshme në Prishtinë, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga 5 burra. Protesta është paralajmëruar përmes rrjeteve sociale, ndërkaq nuk dihet se kush është organizatori.
“Ngjarja e rëndë në Prishtinë, në të cilën një vajzë 11-vjeçare është përdhunuar nga 5 burra, na ka lënduar tejmase. Ne, u bashkohemi vajzave dhe grave kosovare në thirrjen e tyre drejtuar institucioneve, për marrjen e masave të menjëhershme kundër kriminelëve përgjegjës si dhe për garantimin e mbrojtjes së vajzave dhe grave në të gjitha hapësirat publike. Dhuna kundër një vajze, dhuna kundër një gruaje, është dhunë kundër të gjitha vajzave dhe grave”, thuhet në mbishkrimin e ngjarjes së krijuar në Facebook.