Presidentja e Republikës së Kosovës ka bërë sot homazhe tek shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, në sheshin qëndror të Prishtinës, me rastin e “Ditës së Presidentit”.
Osmani ka thënë se në këtë ditë e kanë nderuar arkitektin e pavarësisë së Kosovës dhe nismëtarin e jetës demokratike dhe të pluralizmit politik.
“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike. Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, ka thënë presidentja Osmani.
Siç njofton Zyra për Media e Presidencës, në “Ditën e Presidentit”, presidentja Osmani pasdite do ta zhvillojë një vizitë në familjen e presidentit Ibrahim Rugova.