Statistikat e Fondit për Shëndetësi në Maqedoninë e Veriut tregojnë se barnat që ndikojnë në sistemin qendror nervor, bëjnë pjesë në treshen e barnave më të përdorura nga ana e qytetarëve të vendit, krahas atyre që përdoren për traktin digjestiv dhe për sëmundje të zemrës.
Brenda një viti në Maqedoninë e Veriut janë dhënë 2 milionë e 400 mijë receta për sëmundje që kanë të bëjnë me shqetësimet e shëndetit mendor, përkatësisht barna për të trajtuar çrregullime të panikut dhe ankthit. Ky numër është më i madh se numri i përgjithshëm i banorëve të këtij vendi.
Mjekët thonë se këto shifra janë shqetësuese nëse i shtohet edhe përdorimi i barnave kundër depresionit, të cilat merren nga ana e pacientëve në mënyra të ndryshme edhe pa recetë të mjekut.
Edhe pse Ministra e Shëndetësisë ishte zotuar për uljen e numrit të përdorimit të këtyre barnave, kjo nuk realizua.
Diazepami mbetet në krye të listës së përdorimit të aksiolitëve, barnave për qetësim, për tejkalimin e ankthit, frikës e depresionit.
Ndikimi i izolimit në marrëdhëniet shoqërore
Gjatë vitit të kaluar mjekët u kanë shkruar pacientëve të tyre më shumë se 1 milion e 400 mijë receta vetëm për diazepam, që paraqet shifrën më të lartë gjatë pesë vjetëve të fundit.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Shkup, Stojan Bajraktarov, thotë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi i lartë i këtyre ilaçeve nuk është praktikë vetëm e Maqedonisë së Veriut, por është dukuri e pranishme në të gjitha vendet e Ballkanit.
Bajratarov thekson se duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve se përdorimi i barnave kundër depresionit paraqet rrezik real që të zhvillojnë varësi.
“Jo rrallë herë bëhet trysni nga ana e pacientëve që mjekët t’u shkruajnë receta për këto barna. Këto barna duhet të merren më së shumti tre muaj, por jemi dëshmitarë se disa pacientë i marrin me vite. Mendoj se të gjithë ne, bashkërisht, duhet të bëjmë më shumë përpjekje që të ndërpritet kjo praktikë”, vlerëson Bajraktarov.
Kriza çojnë në mbyllje të pacientëve më vete dhe orientim te qetësuesit
Mjekët thonë se në situata krize, si pandemia dhe krizat ekonomike e sociale, qytetarët kanë tendencë që të kamuflojnë ankthin përmes përdorimit të barnave për qetësim, por pa qenë të vetëdijshëm për pasojat që sjellin ato.
“Krijohet varësi, varësi klasike nga këto ilaçe, të cilat nuk e zgjidhin problemin, por kamuflojnë disa simptoma megjithëse për një afat të caktuar – vetëm për disa muaj”, shpjegon Bajraktarov.
Mjekët thonë se nëse nuk ndalet trendi i rritjes së sëmundjeve të shëndetit mendor, ku prin depresioni, sëmundjet e kësaj natyre do të ngjiten në krye të listës së sëmundjeve, nga të cilat do të vuajnë njerëzit.
Maqedoni e Veriut: Çdo i dyti adoleshent shpreh probleme të shëndetit mendor
Edlira Destani, psikologe, thotë për Radion Evropa e Lirë se më e keqja është se përdorues të antidepresivëve gjithnjë e më shumë bëhen gjeneratat më të reja.
“Realiteti është aq shumë i shpërndarë në situata krize, mbetet aq shumë i paqartë me këto ndryshimet e shpeshta, sa për fëmijët – që janë duke u rritur, duke u adaptuar me jetën e tyre dhe janë në proces të njohjes së vetes së tyre dhe njëkohësisht me këto ndryshimet e mëdha sociale, ekonomike – është një dëmtim i madh shoqëror, që e kanë vështirë të gjinden”, thotë Destani.
Mjekët konsiderojnë se duhet të ndiqen praktikat e vendeve evropiane, ku rëndësi e veçantë i jepet konsultimit me psikologun kur shfaqen shqetësime të shëndetit mendor dhe fare në fund rekomandohet si opsion përdorimi i medikamenteve.
Përderisa në vendet e zhvilluara evropiane çdo pacient fillimisht ndjek seanca me psikologun, në Maqedoninë e Veriut vetëm 20 deri 50 për qind e pacientëve me shqetësime rreth shëndetit mendor ndjekin seanca për t’u konsultuar me psikologun dhe më pas të marrin medikamente kundër depresionit./rel