Shtatëdhjetë e pesë persona janë raportuar të zhdukur deri më tani nga autoritetet pas përmbysjes së një varke në Mesdhe.
Lajmi u bë i ditur nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). IOM tha se 24 persona ishin shpëtuar nga anija, e cila u largua nga plazhet e Zawara në veri të Libisë dhe u fundos në brigjet e Sfax.
Një zyrtar tunizian i sigurisë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se roja bregdetare kishte gjetur një trup.
Mesdheu qendror, që lidh Libinë me Italinë ose Maltën, është rruga më e rrezikshme e migrimit në botë, thotë IOM.
Agjencia e OKB-së vlerëson se më shumë se 1,500 njerëz vdiqën ose u zhdukën në zonë në vitin 2021 dhe më shumë se 500 në 2022-in.
Në muajt e fundit, dhjetëra njerëz janë mbytur në brigjet e Tunizisë. Qindra mijëra njerëz kanë bërë kalimin e rrezikshëm të Mesdheut vitet e fundit.