Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit, ka miratuar të mërkurën një projekt-ligj që do të rrisë kufirin e epërm të moshës për rekrutët ushtarakë që shërbejnë në ushtrinë ruse në bazë kontraktuale.
Sipas projektligjit, të cilit iu miratuan të tre leximet më 25 maj, burrat deri në moshën 65 vjeç tani do të kenë të drejtë të shërbejnë në ushtri. Kufiri i ri vlen edhe për shtetasit e huaj që dëshirojnë të shërbejnë në ushtri ruse.
Ligji aktual lejon që burrat rusë deri në 40 vjeç dhe të huajt deri në 30 vjeç të shërbejnë në ushtri.
Autorët e projektligjit, ligjvënësit Andrei Kartapolov dhe Andrei Krasov, thanë se rritja e kufirit të moshës do të ndihmonte në afrimin e specialistëve të rinj me “aftësitë e kërkuara”, kryesisht personel mjekësor dhe inxhinierë.
Projektligji u miratua ndërkohë që Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar ndaj Ukrainës, i nisur më 24 shkurt.
Rusia ka hasur në rezistencë të ashpër nga forcat ukrainase, me shumë zyrtarë të inteligjencës perëndimore që thonë se Moska priste një përfundim të shpejtë të luftimeve. Në vend të kësaj, thonë ata, trupat e saj kanë pësuar humbje dhe janë shënuar mijëra viktima ndërsa avancimi i tyre u ndal.
Rusia nuk ka zbuluar kohët e fundit një numër të saktë viktimave nga ky konflikt. Më 25 mars, u bë e ditur se 1,351 ushtarë rusë ishin vrarë në luftime.