Kanadaja duhet të ndalojë plotësisht blerjen dhe shitjen e të gjitha pistoletave, ka thënë kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Qeveria e tij është duke propozuar një ligj të ri që parasheh ngrirjen e pronësisë private për të gjitha armët me zjarrit me tytë të shkurtër.
Legjislacioni nuk parasheh ndalesë të plotë në pronësi të këtyre armëve, mirëpo vetëm e bën ilegale blerjen e tyre.
Propozimi i Trudeas vjen disa ditë pas të shtënave vdekjeprurëse me armë zjarri në një shkollë fillore në Teksas të Shteteve të Bashkuara, si pasojë e të cilave kanë vdekur 21 njerëz.
Projektligji, i cili është prezantuar para Parlamentit të Kanadasë të hënën, e bën të pamundshme blerjen, shitjen, transferimin apo importimin e pistoletave kudo në shtet.
“Përveç përdorimit të armëve të zjarrit për qitje dhe gjueti, askush nuk ka arsye në Kanada që të përdorë armë në përditshmëri”, u ka thënë Trudeau gazetarëve.
“Teksa shohim rritje të dhunës me armë, është detyra jonë që të veprojmë”, ka thënë ai.
Ky veprim përbën përpjekjen më serioze të Qeverisë së tij për të kufizuar qasjen në armë zjarri.
Për dallim prej Shteteve të Bashkuara, në kushtetutën e Kanadasë nuk përmendet e drejta për mbajtje të armës, por ato janë të qasshme dhe njerëzit i mbajnë kryesisht në pjesët rurale të shtetit