Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, pas lajmeve se Arabia Saudite po përgatitet të rrisë prodhimin, nëse eksportet nga Rusia bien ndjeshëm, si pasojë e sanksioneve të vendosura nga Bashkimin Europian.
Financial Times raportoi, duke cituar burime të afërta me çështjen, se Arabia Saudite është e vetëdijshme për rreziqet që mund të vijnë nga tkurrja e furnizimit të tregut dhe nuk është në interes të saj të humbë pjesë të tregut.
Për rrjedhojë, nafta Brent ka humbur mbi 1.5% të vlerës dhe po tregtohet në rreth 113 dollarë për fuçi. Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord të fillim të javës të ndalojnë rreth 90% të naftës bruto që importohet nga Rusia, deri në fund të këtij viti, si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve.
Arabia Saudite, që është “de facto” lider i OPEC, nuk ka parë deri më tani një mungesë të madhe të furnizimit të tregut dhe ka injoruar thirrjet e Uahsingtonit zyrtar për të rritur prodhimin, në mënyrë që të parandalohet një rritje e mëtejshme e çmimeve. Por, situata mund të ndryshojë sepse ekonomitë në të gjithë botën po rihapen plotësisht pas pandemisë, që përkthehet në një kërkesë më të lartë për naftë.