Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, ka deklaruar se nëse data e zgjedhjeve nuk përcaktohet Pakistani do të shkojë në një luftë civile, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për Bol News, Khan tha se pret që Gjykata e Lartë të vendosë për kërkesën e partisë së tij për të siguruar mbrojtje për protestuesit, duke shtuar se pas vendimit ai do të shpallë datën e marshimit të ardhshëm për të kërkuar zgjedhje të përgjithshme.
“Do të shohim nëse do të na lejojnë të shkojmë në zgjedhje me mjete ligjore dhe kushtetuese, përndryshe ky vend do të zhytet në luftë civile”, tha Khan.
– Marshe për të kërkuar zgjedhje
Në fjalimin e tij në qytetin Peshawari më 22 maj, Khan deklaroi se nuk do ta pranojnë qeverinë e re dhe u kërkoi mbështetësve të tij të marshojnë paqësisht në Islamabad më 25 maj për të bërë presion për zgjedhje të parakohshme.
Qeveria e Islamabadit e ndaloi marshin që Khan po planifikonte ta bënte.
Përveç dhjetëra mbështetësve të Khan-it, të paktën 100 oficerë policie u plagosën gjatë marshimeve dhe rreth 1.700 njerëz u arrestuan në protesta.
Më 26 maj, Khan anuloi marshimin drejt kryeqytetit, duke i dhënë qeverisë gjashtë ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve dhe për të shpërndarë parlamentin.
– Rënia e qeverisë së ish-kryeministrit Khan
Qeveria e ish-kryeministrit Khan ra si rezultat i votimit të besimit të mbajtur në parlament më 10 prill.
Shahbaz Sharif, vëllai i Nawaz Sharif, i cili shërbeu si kryeministër për tre mandate në vend, u zgjodh kryeministër me mbështetjen e shumicës absolute me 174 vota në zgjedhjet e mbajtura më 11 prill.
Takimi i Khan-it me presidentin rus, Vladimir Putin, në kryeqytetin Moskë më 24 shkurt, kur Rusia nisi sulmet e saj ndaj Ukrainës, krijoi siklet në vendet perëndimore.
Duke e mbrojtur këtë situatë me fjalët se vendi i tij “ka nevojë për furnizim me gaz, grurë dhe teknologji lidhur me sigurinë kibernetike”, Khan fajëson SHBA-në për rrëzimin e qeverisë së tij.