Shkup, 23 qershor – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka zbatuar grevën e paralajmëruar të përgjithshme në sektorin publik me të cilën kërkohet rritje lineare e pagave për 2806 denarë dhe kthim i së drejtës për pushim vjetor.
Dje vendosi 120 vende bosh para Kuvendit, duke dashur t’u kujtojë deputetëve që të pranojnë amendamentin me të cilin kërkohet në ribalancin e Buxhetit të ndahen mjete për rritjen lineare të pagave dhe për sot ka paralajmëruar se do të vendosë 21 karrige para Qeverisë.
Greva do të mbahet çdo ditë nga ora 10 deri në 11, në mënyrë që të punësuarit në sektorin publik në atë periudhë të ndërpresin procesin e punës dhe të dalin jashtë dhe vetëm dhjetë për qind prej tyre do të punojnë aty ku duhet për raste urgjente.
Sindikata shprehet e kënaqur me rrjedhën e grevës e cila njoftoi se do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave. Kryetari i SSM-së Darko Dimovski dje tha se vetëm në një kompani në fillim të grevës ka pasur presione ndaj punëtorëve, ndërsa vlerësoi disa institucione dhe kompani që tashmë kanë filluar të nënshkruajnë marrëveshje që punëtorët nga 1 korriku të marrin 2806 denarë.
“Pra, kemi edhe një situatë të tillë, por në fund të ditës në 13:00 sekretarët tanë rajonalë do të dorëzojnë raporte dhe kudo që ka presion mbi punëtorët dhe bordet e grevës, do të ndodhë e njëjta gjë si pardje me deputetët, do t’i shpallim publikisht ata drejtorë dhe drejtues apo bartës të atyre pozitave që na bëjnë presion që të mos bëjmë grevë, tha Dimovski.
Qeveria, nga ana tjetër, është e mendimit se duhet të rriten pagat, por thonë se duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme, e jo problemet të zgjidhen me zgjidhje ad hok.
“Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe dialogu social për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë dhe aty do të gjejmë zgjidhjen sistematike, dhe kjo është një metodologji e re që do të përfshihet në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive dhe që do të thotë zgjidhje sistematike e problemit pagave në sektorin publik, përkatësisht rritje e vazhdueshme e pagave të punëtorëve në sektorin publik, tha dje ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska.
Sipas saj, rritja lineare e pagave për 2806 denarë nuk është zgjidhje.
“Qeveria tregon vullnet politik, gatishmëri për të gjetur zgjidhje dhe apelojmë që të vazhdojë dialogu social për të arritur një zgjidhje që do ta zgjidhë problemin e të punësuarve në sektorin publik”, tha Trençevska.
Kërkesa e LSM-së për rritje lineare të pagave ditën e djeshme ka qenë edhe në fokus të sherreve partiake. Opozita akuzoi deputetët e qeverisë se nuk e ka votuar amendamentin për ndërhyrje në ribalancin, duke ua vështirësuar jetën punëtorëve.
“Deputetët e LSDM-së votuan kundër propozimit të LSM-së për rritje lineare të pagave në sektorin publik për 2806 denarë. LSDM ua ka vështirësuar jetën dhjetëra mijëra familjeve. Rritja lineare e pagës që LSDM-ja e refuzoi, në fakt ishte obligim ligjor i qeverisë për ta zbatuar, të cilin nuk e respektojnë, dhe rrjedh nga Ligji për Rritjen e Pagës Minimale, i cili në vetvete kërkon harmonizim linear të të gjitha pagave, tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE Marija Miteva në një konferencë për shtyp.
Nga LSDM-ja kanë thënë se kanë premtuar rritje të pagave në afat prej gjashtë muajsh dhe se kjo do të bëhet.
Greva në sektorin publik pasoi pasi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë pa se në ribalancin e buxhetit nuk janë parashikuar mjete për kërkesën e tyre, ndonëse, siç thonë ata, ishte premtuar gjatë negociatave me zyrtarë të qeverisë. Dje në objektin e LSM-së është mbajtur një takim me ekipin ekonomik të Qeverisë, por nuk ka dhënë fryte.