Edhe pse në muajin mars ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllogoj Boçvarski tha se do të ulen tarifat pagesore në pikëpagesat e autostradave të vendit, ai përsëri dje e ka përsëritur të njejtin mendim por pa një propozim konkret.
I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e tij të muajit mars, ai nuk përjashtoi asgjë por, tha se çështja duhet diskutuar dhe të vendos shteti.
“Diskutimi për pikëpagesat është gjithmonë i hapur, por në fund do të vendosë shteti”, tha Boçvarski.
Ai foli shkurt për metodologjinë e re të çmimeve, përkatësisht uljen e çmimeve në pikëpagesa.
“Mund të flasim për metodologji të ndryshme pagese, mundësi për një ose një tjetër çmim tarifor, por në fund duhet të dimë se për të pasur rrugë moderne dhe të sigurta dhe që të mund të ndërtojmë rrugë të reja, patjetër që duhet mirëmbajtje! Prandaj, diskutimi për temën është gjithmonë i hapur. Mund të ketë diskutime mbi metodologjinë edhe me ekspertët por në fund shteti do të marrë vendime që do të jenë në interes të qytetarëve”, tha Boçvarski.
Ndryshe, Boçvarski në fund të marsit të këtij viti ka paralajmëruar ulje të çmimeve të tarifave.
“Po krijohen modalitete që do të ulin çmimin e tarifave në autostradat shtetërore”, tha në atë kohë Boçvarski.
Deklarata erdhi pasi u bë publike çështja e tarifave të shtrenjta në Maqedoni, kualiteti i dobët i rrugëve, pasi u pa se këto tarifa janë më të shtrenjta se në vendet e tjera dhe pas propozimeve në Kuvend për ndryshime ligjore u tha që do t’i ulin ato me 50 për qind.
Por, nga deklarata e fundit e ministrit del se çështja nuk është prekur dhe të njejtat çmime do të jenë akoma valide.