Vuçiq i bën thirrje Kovaçevskit të pranojë propozimin francez
Presidenti serb tha se Kovaçevski duhet ta udhëheqë vendin e tij përpara, qe të hapen mundësi për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Cila është alternativa tjetër për maqedonasit? Gjithmonë do të ketë pretendime e pakënaqësi, por shtyjeni vendin tuaj përpara. Në fund të fundit, është mirë të jesh në rrugën europiane, të hapësh mundësi për tërheqjen e investimeve të huaja”.
Vuçiç theksoi se kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ai shqiptar Edi Rama mbrojtën me forcë qëndrimet e tyre në Samitin e mbajtur në Bruksel.
“Unë ndjek gjithçka që po ndodh dhe mbështes ate që kolegët Kovaçevski dhe Rama kërkuan në Bruksel. Me shumë guxim ata u paraqitën jo vetëm në konferencat me gazetarët, por edhe në takimin kushtuar Ballkanit Perëndimor”.
Presidenti serb tha se Maqedonia dhe Shqipëria e meritojnë fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Sipas Vuçiçit, këto dy vende kohë më parë e kanë merituar anëtarësimin për shkak të angazhimit të tyre, rezultateve të arritura dhe përmbushjes së gjithçkaje që kërkohet prej tyre.
Vuçiç iu ka dhënë maqedonasve si shembull tolerance pranimin nga Serbia të marrëveshjes së Brukselit me palën kosovare në vitin 2013, një marrëveshje shumë e vështirë, për të cilën në shumë pika njerëzit në Serbi nuk donin as të dëgjonin./Klan News/