LajmeMaqedoni

Komunat në Shkup përballen me mungesë të kapaciteteve për kujdesin e fëmijëve në çerdhe

Rritja e numrit të banorëve nëpër komunat e kryeqytetit ka bërë që ata që gjejnë vend për fëmijët e tyre në çerdhet e Shkupi, të ndihen fatlumë, shkruan Alsat.

Një nga Komunat ku lista e pritjes është më e ngarkuar është ajo e Aerodromit.

Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençevska, tha se nga viti 2017 e deri më sot janë regjistruar 4300 fëmijë të rinj në moshën parashkollore përmes ndërtimit të 69 çerdheve në mbarë vendin.

“Problem më të madh ka Komuna e Aerodromit, ku në listën e pritjes janë rreth 900 fëmijë. Pikërisht për këtë arsye, siç thash, një nga çerdhet që do të hapet deri në fund të vitit është pikërisht në Komunën e Aerodromit. Do të kenë projekt i cili do të hyjë në investimet kapitale për vitin 2023. Çdokund ku kemi numër të lartë të fëmijëve që duhet të kyçen në arsimin para shkollorë, apeloj te kryetaret e komunave të përgatisin projekte”, tha Jovanka Trençevska- ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

Me një problem të tillë përballet edhe Komuna e Çairit, një nga Komunat me  popullsi më të dendur në Evropë. Zëdhënësi i kësaj komunë, Fari Hiseni, thotë se numri në listën e pritjes ndryshon vazhdimisht, ndërsa në territorin e Çairit ka dy kopshte amë për fëmijë “ Fidani” dhe “ Borëbardha”.

“Kapacitetet janë gjithmonë të plota, mirëpo ata që janë në pritje u bie shumë pak të presin, sepse dalin fëmijë nga çerdhet, hyjnë fëmijë të rinj. Është e paraparë që të ketë zgjerim të hapësirave. Të gjitha çerdhet që janë ndërtuar në Komunën e  Çairit ka vite që janë ndërtuar. Kur janë ndërtuar në atë kohë, kanë qenë për kapacitet e njerëzve që kanë jetuar në atë kohë në komunë para shumë vitesh”, u shpreh Fari Hiseni- zëdhënës, “ Komuna e Çairit”.

Në Komunën Qendër në listën e pritjes ndodhen 200 fëmijë, për të cilët kryetari i kësaj komune thotë se në shtator do të ketë vend për të gjithë.

“Kemi rreth 200 fëmijë që për momentin janë në listën e pritjes. Përsëris se  prioritet do të jenë  fëmijët që jetojnë në territorin e Komunës Qendër dhe të gjithë nga shtatori do të pranohen për përkujdesje në çerdhet tona”, tha Goran Gerasimovski – kryetar i Komunës Qendër.

Deri në fund të vitit, sipas njoftimeve, planifikohet të hapen edhe katër objekte në Shkup, në komunat Gjorçe Petrov, Karposh, Aerodrom dhe Sopishtë, si dhe çerdhet në Çair dhe Haraçinë, të cilat po ashtu janë në ndërtim e sipër planifikohet të hapen në vitin 2023./ Alsat.mk/

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button