As sot nuk u publikua analiza e paralajmëruar për ngrirjen e çmimit të mishit

Megjithëse u paralajmërua me pompozitet që deri në fund të javës do të ketë rezultate të analizave edhe për ngrirje të reja të çmimeve, autoritete tani thonë se u duhet akoma kohë për mos të shkaktuar dëme në treg, përkatësisht mungesë të sasive të produkteve në treg. Kjo do të thotë që qytetarët do të vazhdojnë t’i blejnë me çmime të larta prodhimet e mishit, e fruta-perimeve në muajin e festave kur konsumi është maksimal. Analizat janë bërë, tha Kryemnistri Kovaçevski, por para se të merren vendime të reja, sipas tij, duhet të harmonizohen me ministritë e tjera, meqë në prodhime të caktuara ushqimore ka artikuj që prodhohen në vend dhe të tjera që importohen.

“Tani ajo që mund të kufizohet, por nuk do të ndikojë në dis-bilancin e tregut ne do ta bëjmë sepse dëshmuam se mund të bëhet dhe të mos ketë mungesë në treg. Po punojnë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me prodhuesit që të marrim vendime të duhura në interes të qytetarëve pa u dëmtuar edhe kultivuesit”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Përderisa po rrjedh afati për ulje të çmimeve të disa artikujve ushqimorë janë paraqitur dyshime në cilësinë e prodhimeve ushqimore që po shiten. Por autoritetet thonë se nuk do të lejojnë manipulime të prodhuesve vendor dhe tregtarëve që do të ulin cilësinë në raport me çmimin. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se po kryejnë inspektime intensive nëpër kompanitë që prodhojnë artikuj ushqimor dhe në tregje. Drejtori i AUV-së Nikollçe Babovski tha se qytetarët mund të blejnë sigurt.

“Të gjitha frutat ose perimet ku ka rritje të sasisë së pesticideve që mund të gjenden në këto produkte ato menjëherë shkojnë në eliminim nuk lejohen për përdorim. Edhe artikuj të tjerë ushqimore duhet të ketë aditivë të caktuar me sasi të lejuar, por edhe të deklarohen në tiketë se çfarë suplementesh përmbajnë”, u shpreh Nikollçe Babovski, Drejtor i AUV-së.

Kujtojmë që vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë në 33 denarë për 450 gram, ngrirja e çmimit të shpagetave, makaronave, qumështit dhe disa produkteve të saj vazhdon deri më 31 Maj.

Kurse, vendimi i fundit për ngrirje të çmimeve të vezëve dhe orizit vazhdon vetëm deri më 30 Prill, përkatësisht e bërë sa për të kaluar festa e Pashkëve dhe Ramazanit pa mungesë të këtyre produkteve. /Alsat.mk