Bekteshi: Në vendet turistike do të mund të punohet të dielave dhe festave shtetërore

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në facebook ka shkruar se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet në Ligjin për tregti me të cilën mundësohet të punohet gjatë të dielave dhe festave shtetërore gastronomisë dhe të gjithë tregtarëve në vendet turistike, të përcaktuara me Ligjin për Turizëm.

Sipas ministrit, ndryshimet në Ligjin për tregtinë pritet të stimulojnë edhe më tej aktivitetin ekonomik në vend, veçanërisht në destinacionet turistike.

“Duke marrë parasysh të dhënat që i kemi nga Enti Shtetëror për Statistikë për rritjen e numrit të turistëve që nga fillimi i vitit dhe pritshmëritë në përputhje me rezervimet tashmë të bëra për turistët e huaj që do të vizitojnë Maqedoninë e Veriut këtë sezon turistik, veçanërisht Ohrin dhe Strugën, në përputhje me ndryshimet ligjore presim rritje të aktivitetit turistik në mbarë vendin. Ndryshimet në Ligjin për Tregtinë u miratuan përmes një dialogu të përbashkët në një proces gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, veçanërisht në sektorin e turizmit. Punëtorët në Qendrat Tregtare që punojnë të dielave dhe festave do të marrin mëditje 100 për qind më të lartë”, ka shkruar ai.