Borell: Izraeli t’i jap fund operacionit ushtarak në Rafah

Bashkimi Evropian i kërkon Izraelit t’i japë fund menjëherë operacionit ushtarak në Rafah. Ky operacion po dëmton më tej shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe po ndikon edhe më shumë në zhvendosje të brendshme, ekspozim ndaj urisë dhe vuajtjeve njerëzore. Sipas të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare, Izraeli duhet të lejojë dhe lehtësojë kalimin pa pengesa të ndihmave humanitare për civilët. Por, ndërkohë që BE bën thirrje për ndalim të menjëhershëm, ushtria izraelite vazhdon me sulmet. Ajo ka intensifikuar operacionet e saj në kampin e refugjatëve Jabali, si dhe ka sulmuar zonat në lindje të Rafahut.

“Njerëzit në Gaza po vdesin urie, po vuajnë dhe kjo është një situatë e paimagjinueshme. Ajo që po ndodh në Gaza nuk është një krizë natyrore, nuk është një tërmet, apo një përmbytje. Është një krizë e krijuar nga njeriu. Operacioni i madh në Rafah është i papranueshëm. Pavarësisht se presidenti, zyrtarët evropianë po e thonë këtë, operacioni në Rafah po vazhdon. Kjo vuajtje duhet të ndalojë menjëherë”, tha Jozep Borrell, zyrtar i larte i BE-së. /Alsat.mk