LajmeRajon

Daçiç i thotë “jo” NATO-s: Do zbatojmë idetë e Sllobodan Milosheviçit

Ministri i Jashtëm serb dhe kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 17 dhjetorit thotë se partia socialiste që ai drejton do të zbatojë idetë e Milosheviçit për kombin serb. Në një takim elektoral, Daçiç glorifikoi si mbrojtësin e popullit serbe diktatorin Sllobodan Milosheviç të njohur si kasapi i Ballkanit.

“Sllobodan Milosheviç zgjeroi kombin serb dhe krijoi një lëvizje patriotike dhe prandaj nipi i tij Marko që kandidon me partinë tonë do të ecë para me të njëjtat ide si gjyshi i tij. Është kënaqësi që Partia Socialiste Serbe ka shumë të rinj që ndajnë këto ide në këto kohë të vështira”, deklaroi Daçiç.

Ministri i Jashtëm, partia e të cilit është në koalicion me partinë e Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Serbia do të festojë sërish fitoren në Gazismetan në Kosovë dhe se serbët nuk do të heqin kurrë dorë nga ajo që është pjesë e tyre.

“Ne i kemi thënë jo njohjes së Kosovës, jo hyrjes së saj në Kombët e Bashkura, jo hyrjes së Serbisë në NATO dhe nuk kemi pranuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Nuk do të heqim dorë as nga Republika Sërbska…Ne sërish në Gazimestan do të festojmë Betejën e Kosovës”, tha Daçiç.

Gjatë fushatës elektorale, Daçiç që ka mbajtur postet të larta në shtetin serb gjatë 15 viteve të fundit, ka mbajtur qëndrimet më të ashpra për Kosovën. Edhe pse ka vlerësuar figurën e Milosheviç, komuniteti ndërkombëtar nuk ka reaguar për deklaratat e Daçiç.

Show More

Related Articles

Back to top button