“E enjtja e përgjakshme: Aktgjykime kontradiktore për gazetarët që raportuan nga Kuvendi

Gjykata e Apelit me aktvendimet e saj ia ka shkelur të drejtat gazetarit Vlatko Stojanovski nga “Fokus” në lidhje me sulmin e Kuvendit të 27 prillit 2017. Kështu deklaruan gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët dje kërkuan që në një nga seancat e radhës të hapet diskutim për këtë temë, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë konsultimit dhe votimit, gjyqtarët ranë dakord që vendimet i cenonin të drejtat e tij, por Gjykata Kushtetuese nuk mori shumicën e votave për të gjitha pikat që përbëjnë propozimin përfundimtar, të cilat i referohen fatit juridik të të dy aktgjykimeve, që do të thotë se kjo çështje nuk ka përfunduar”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Stojanovski e paditi shtetin për shkeljen e lirisë së shprehjes për ngjarjet e “E së enjtes së përgjakshme”, por Gjykata Civile e refuzoi atë me arsyetimin se neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përmendte mundësinë e të gjithëve të shprehin mendimin e tyre në jetën e përditshme dhe jo në kushte ku ndodhin akte dhune siç është ngjarja e “E enjtes së përgjakshme”.

Pas kësaj, Stojanovski iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për konstatimin e shkeljeve të lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë, të cilat, sipas tij, janë bërë me aktgjykime të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe, dje Gjykata e Apelit Shkup e ka refuzuar ankesën e gazetarit Goran Tërpenoski kundër Gjykatës Themelore Civile Shkup, e cila paraprakisht e ka refuzuar padinë e tij kundër shtetit për shkak se më 27 prill 2017, gjatë sulmit të organizuar në Kuvendin e Kosovës, nuk e ka mbrojtur atë si gazetar, ndërsa ia kërcënoi edhe të drejtën për të raportuar mbi sulmin.

Tërpenoski ka paditur si gazetar i atëhershëm i redaksisë digjitale Sdk.mk, ndërsa në shpjegimin e aktgjykimeve të gjykatave më të ulëta dhe të larta ka kualifikim se as paditësi nuk ka qenë gazetar, as Sdk.mk nuk është media, sepse mediat online nuk janë ende të rregulluara ligjërisht.

Kujtojmë se më 27 prill të vitit 2017, derisa kryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë (e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja) dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit. Me turmën kanë udhëhequr persona me maska, por edhe të armatosur.

Disa nga deputetet e VMRO-DPMNE-së i kanë hapur portat dhe i kanë drejtuar protestuesit e dhunshëm që të shkojnë drejtë vendit ku gjendeshin Talat Xhaferi, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe pjesëtarë të tjerë të shumicës parlamentare.

Me këtë rast, policia fare nuk ka reaguar, duke i lejuar që dhunuesit lirshëm të futën në Kuvend dhe të demolojnë gjithçka që shohin përpara.

Protestuesit rrahën deputetë, gazetarë dhe punonjës të Kuvendit. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili është rrahur brutalisht nga dhunuesit.