Editorial/Kazino vetëm nëpër hotele dhe me licenca speciale!

Kazinot, bastoret dhe lojëra tjera të fatit po e mbysin Maqedoninë e Veriut, e sidomos pre e tyre janë të rinjtë dhe ata që janë bërë të varur nga kjo dukuri shkatërruese e degjeneruese për popullatën. Edhe pse u fillua një lëvizje kundër bixhozit dhe politikanët e panë si të pranueshme kërkesat e tyre karshi fitimit të pikëve politike, premtimet ende nuk janë bërë realitet. Politikanët kur filluan të kalkulojnë se sa para qarkullojnë në këtë biznes, u pa se vendimi për mbylljen e tërësishme është i shpejtuar, prandaj tani mendojnë që me ligj të ndalojnë vetëm hyrjen e personave nën 18 vjeç!

Lëvizja anti-bizhoz kërcënon me protesta

Lëvizja Anti-bixhoz kërcënon me protesta dhe hapa të tjerë më radikal nëse kuvendi nuk e miraton propozim/ligjin për lojërat e fatit i cili ndër tjera parashikon që bastoret dhe kazinotë të jenë së paku 3 kilometra larg vendbanimeve.

Nga lëvizja Anti-bixhoz u bëjnë apel miqve nga asociacioneve që merren me organizimin e këtyre lojërave se jeta nuk është kumar e ua bëjmë me dije se paratë nuk janë boshti i botës. Ata thonë se janë të vetëdijshëm se atyre që kërkojnë të kënë lojëra fati u interesojnë vetëm fitimet e majme, por të shikojnë edhe ardhmërinë e këtij populli.

Prandaj, nga kjo Lëvizje kanë paralajmëruar se mund të organizojnë referendum ku pyetja do të jetë “A jeni për largimin e gjitha objekteve të lojërave të fatit nga shkollat dhe objektet fetare?”

Lojërat e fatit qarkullojnë miliona euro pa djersë!

Kazinot dhe bastoret sportive në Maqedoninë e Veriut në pesë vitet e fundit kanë qarkulluar rreth 1.4 miliardë euro. Sipas kalulimeve të publikuara nga mediat, kjo është një shumë e vogël që raportohet, sepse kazinotë dhe lojërat tjera të fatit nuk i deklarojnë të gjitha fitimet dhe të hyrat që realizojnë. Vetëm fitimi neto i këtyre kazionvë është 56.5 milionë euro, para këto të fituara pa asnjë pikë djerse dhe duke manipuluar me ndjenjën e qytetarëve dhe popullit të rënë në depresion.

Kjo shumë e parave dhe interesa të shumta të klaneve të ndryshme dhe grupeve të interesit ka bërë që politikanët populist të ndryshojnë mendjen dhe të mos marrin parasysh kërkesën e qytetarëve dhe të popullit për mbylljen e këtyre lojërave të fatit.

Mos të keqpërdoret flamuri evropian!

Presidenti i Austrisë si dhe ambasadori austriak në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar tërheqje të propozim ligjit dhe procedurës së shpejtë me ligjin evropian, sepse ata besojnë se po keqpërdoret flamuri evropian. Miratimi i këtij ligji për lojërat e fatit ka tjetër prapavijë, e që është hapja e rrugës për hyrjen e një kompanie tjetër të madhe nga Serbia. Tani për tani, zgjidhja ligjore e propozuar ka disa muaj që ka ngecur në labirintet parlamentare dhe nuk dihet se cili do të jetë fati i saj.

Ata që kërkojnë mbajtjen gjallë të kazinove fillimisht thanë se numri i të punësuarve, në fillim ishte 6000-7000 të punësuarve ndërsa tani flitet për 10 mijë apo 54 mijë të punësuar.

Çfarë parasheh propozim ligji!

Legjislacioni i Maqedonisë së Veriut është tepër favorizues për të zhvilluar më tej bastet sportive dhe lojërat e fatit. Legjislacioni i jep mundësinë të gjithëve që e ofrojnë këtë shërbim të licencohen për të ofruar një shërbim që është në standart të rregullave të vendosura nga autoritetet përkatëse. Duke lejuar procesin e licencimit shteti garanton një proces i cili do të ketë një mbarëvajtje dhe do të ketë mundësi të kontrollohet më lehtë. I gjithë legjislacioni i brendshëm është ndërtuar në atë mënyrë që të ofrojë për lojtarët më shumë siguri duke krijuar për ta mjedise të sigurta konform rregullave dhe lojërat e fatit të respektojnë të gjitha ato kushte për të bërë një organizim standard.

Lojërat e fatit dhe bastet janë një formë shumë e popullarizuar argëtimi në Maqedoninë e Veriut. Banorëve të vendit u jepet mundësia të zgjedhin midis një numri mbresëlënës të pikave të basteve në tokë, zyrave të lotarisë dhe dhjetëra kazinove. Prandaj, nuk është për t’u habitur që, sipas statistikave, 72% e popullsisë së rritur meshkuj nën 25 vjeç vendosin rregullisht baste sportive. Numri i të gjithë blerësve të licencuar është mbi 70, gjë që krijon konkurrencë të madhe në treg.

Ligji aktual parasheh se objektet e bizneseve private ku ushtrohen aktivitete për lojëra të fatit, nuk mund të jenë ngjitur me oborrin e institucioneve arsimore. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për shoqatën e arsimtarëve, pasi që anembanë shkollave fillore ose të mesme, në një rreze më pak se 300 metra janë të mbushura me kazino dhe bastore sportive.

Propozim ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit ndër tjera, parashohin rritje të tarifave për dhënien e licencave të lojërave të fatit.

Ministria e financave ka thënë se angazhohen që ligjet të miratohen në përputhje me rregulloret evropiane dhe me këtë propozim ligj ka dashur t’i mbrojë fëmijët nën 18 vjeç nga hyrja në bastore dhe kazino. Por, hyrja për këtë kategori të qytetarëve të miturit në këto objekte edhe tani është rreptësishtë e ndaluar, vetëm duhet të respektohet.

Në Kosovë, lojërat e fatit të ndaluara me ligj, por hapen qendra ilegale

Në Kosovë lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj që nga maji i vitit 2019 dhe si të tilla konsiderohen ilegale. Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, pati hyrë në fuqi në muajin maj të vitit 2019.

Por, edhe pas ndalimit me ligj të këtij aktiviteti, Policia raporton se në vazhdimësi ka hasur në organizime të lojërave të fatit nëpër mjedise të fshehta.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga hyrja në fuqi e Ligjit që ndalon këto aktivitete, janë evidentuar 137 raste të veprës penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

Mospajtimet, për ndalimin e lojërave të fatit vazhdojnë edhe tani. Miratimi i ligjit nga legjislatura e kaluar e Kosovës sipas përfaqësuesve ligjorë të këtyre bizneseve mund të ketë ndikuar që të vazhdohet veprimtaria edhe në mënyrë ilegale.

Shqipëria riktheu lojërat e fatit

Fillimisht qeveria e Shqipërisë vendosi që me 31 dhjetor 2018 të hyj në fuqi ligji për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe kazinove elektronike, në të gjithë Shqipërinë.

Vendimi i qeverisë parashikonte mbylljen e kazinove elektronike, bastet sportive, sallat e bingove, bastet on line, bastet me gara në pistë e të tjera.

Kjo vendimmarrje sociale e politike, u konsiderua nga qeveria si vendimi më i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve, familjeve dhe ekonominë dhe që godet krimin në një nga vatrat e veta më aktive.

Por, vetëm pas një viti, me një tjetër vendim qeveria lejon hapjen e kazinove dhe lojërave të fatit por me kushtet të reja. Qendra e Tiranës do të jetë zona se ku do të pozicionohen kazinotë në kryeqytet, ose lojëra të fatit do të ketë vetëm nëpër hotele dhe jashtë qendrave të banimit. Sipas kësaj VKM-je parashikohet se lojërat e fatit të tipit kazino do të pozicionohen brenda perimetrit të Rrugës së Barrikadave, ‘Urani Pano’, ‘Dedë Gjo Luli’, ‘Ibraim Rugova’, ‘Xhorxh Bush’ dhe Bulevardit ‘Zhan D’ark’.

Ky vendim i qeverisë shoqërohet me një tjetër që përcakton kriteret për të lejuar ushtrimin e lojërave të fatit të tipit kazino, ku kryesorja është se duhet të ketë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë dollarë.

Duke parë së kjo dukuri e shëmtuar ka rrezikun e vet qoftë nëse mbeten të hapura dhe qoftë nëse mbeten të mbyllura lojërat e fatit, konsiderohet se ideja më e mirë është që nga kjo dukuri të mbrohen ata të cilët bien pre dhe viktimë e këtyre lojërave. Zakonisht pre e këtyre lojërave bien të rinjtë adoleshentë dhe persona të prekur nga depresionet e ndryshme. Ndërsa ata që shkojnë me vetëdije dhe kanë mjete financiare për të derdhur nëpër këto lojëra, mund ta bëjnë atë vetëm në hotele me pesë yje dhe në vende jashtë qyteteve.