Erdogan: Mund të pajtohemi që Finlanda të bëhet pjesë e NATO-s, por jo edhe Suedia

Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan ka thënë se Ankaraja mund të pajtohet që Finlanda të bashkohet me NATO-n, por jo Suedia.

Ai kritikoi refuzimin e Suedisë për të ekstraduar dhjetëra njerëz të dyshuar të lidhur me grupet militante kurdë dhe kritikë të tjerë të qeverisë të tij, shkruan BBC.

“Nëse absolutisht dëshironi të bashkoheni me NATO-n, do t’i ktheni këta terroristë te ne”, tha ai.

Komentet e tij vijnë disa ditë pasi Turqia pezulloi bisedimet për të pranuar dy vendet nordike si anëtare.

Lëvizja u nxit nga një seri protestash të diskutueshme në Stokholm duke përfshirë atë gjatë së cilës u dogj një kopje e Kuranit.

Zyrtarët suedezë kanë dënuar protestat, por kanë mbrojtur ligjet e vendit për lirinë e fjalës.

Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n vitin e kaluar, duke i dhënë fund dekadave të mos-angazhimit ushtarak.

Aplikimi i tyre duhet të miratohet unanimisht nga të gjithë anëtarët aktualë të NATO-s, por Turqia dhe Hungaria nuk kanë arritur të ratifikojnë ofertat e tyre.

Në fjalimin e tij, Erdogan sugjeroi se Turqia tani mund të “të japë një përgjigje të ndryshme në lidhje me Finlandën”, duke shtuar se “Suedia do të shokohet”.

“Ne i dhamë Suedisë një listë me 120 persona dhe u thamë atyre që të ekstradojnë ata terroristë në vendin e tyre”, tha Erdogan.

© KOHA.