Gostivar, vitin e kaluar janë ndëshkuar 157 vozitës për mosdhënie të përparësisë së këmbësorëve

Dje (26-janar) nga ora 10 deri në ora 14, në zonën e gjerë të Gostivarit është kryer kontroll aksion i intensifikuar ndaj drejtuesve të mjeteve, nëse dhe sa i respektojnë obligimet ndaj këmbësorëve. Gjatë kontrollit janë konstatuar dhe sanksionuar ligjërisht gjithsej 5 shkelje, nga të cilat 3 drejtues mjetesh nuk u kanë dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimet e shënuara.

“Vitin e kaluar (2022) në zonën e Gostivarit janë shqiptuar gjithsej 157 masa për mosdhënie të përparësisë së këmbësorëve, gjegjësisht mos lejim të kësaj kategorie të pjesëmarrësve në komunikacion, edhe në vendkalimet e shënuara. Qëllimi i masave të marra ishte dhe do të jetë siguria më e madhe për këmbësorët, përmes zbulimit në kohë dhe sanksionimit ligjor të drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë detyrimet e tyre ndaj këmbësorëve. Tek shoferët kundërvajtës vitin e kaluar janë përgaditur parashtresa përkatëse dhe për këtë kundërvajtje do të përballen me gjoba prej 20 deri në 250 euro në kundërvlerë denarë. Gjithashtu, për ata që rrezikuan më së shumti lëvizjen e sigurt të këmbësorëve, parashikohet një masë mbrojtëse- heqje e përkohshme e patentës së shoferit nga tre muaj në një vit”, njofton policia.

Me qëllim të rritjes së sigurisë së këmbësorëve vitin e kaluar janë organizuar edhe disa ligjerata në komunikacion, me gjithsej 333 perosna, kryesisht këmbësorë por edhe biçiklistë dhe motoçiklistë.

Vitin e kaluar, në zonën e Gostivarit janë shqiptuar gjithsej 28 masa për përdorimin e folieve të pacertifikuara apo folieve të vendosura në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor. Gjoba për këtë lloj kundërvajtjeje është 250 euro në kundërvlerë denarë.