Guardiola: Ortega na ka shpëtuar, përndryshe Arsenali do të ishte kampion

Trajneri i Man. Sitit, Pep Guardiola, ishte i kënaqur me lojën e ekipit të tij në fitoren ndaj Tottenahm Hotspur dhe në veçanti me paraqitjen e portierit të inkuadruar në fund, Stefan Ortega.

Ortega hyri në lojë në vend të Ederson të dëmtuar dhe ishte i shkëlqyer pasi Man. Siti fitoi 2-0 falë një pritje të tij vendimtare dhe dy golave të shënuar nga Erling Haaland. Pas ndeshjes, Guardiola ka treguar se ndihet i lumtur me paraqitjen e ekipit dhe fitoren e cila mund të jetë e titullit në Premierë Ligë.

“Ishte mirë. Këto lloj ndeshjesh janë me emocione dhe nuk mund të bësh gjithmonë më të mirën. Kjo varet nga intensiteti dhe cilësia që sjell kundërshtari në lojë, ata po luanin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Ata janë një ekip i jashtëzakonshëm, fizik, intensiv, i menaxhuar mirë, i mirë me dhe pa top. E dinim se do të ishte e vështirë, por në momentet e këqija ne ishim aty dhe portierët tanë e bënë punën. Në fund, në momentin e duhur ne i ndëshkuam,” tha Guardiola.

Për pritjen e Ortegas nga Heung-min Son, Guardiola kishte vetëm lëvdata.

“Ai e ka bërë këtë që kur mbërriti. Ne pamë nivelin e portierit që është. Ai bën pritje të jashtëzakonshme dhe e bën kaq shumë herë. Në rastet një kundër një, Stefan Ortega është një nga portierët më të mirë që kam parë ndonjëherë në jetën time. Ai na ka shpëtuar, përndryshe Arsenali do të ishte kampion I Premier Ligës”, përfundoi trajneri i Man. Sitit.