Hill në RTS: Serbët duhet ta kujtojnë kush i udhëhoqi në vitet 90-të dhe çfarë u bëri ai person popujve tjerë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë është pyetur nëse të paktën e konsideron gabim bombardimin e objektit të RTS-së nga NATO në vitin 1999.

Diplomati amerikan tha se është e rëndësishme për serbët që ta kuptojnë se kush i udhëhoqi në vitet e 90-ta dhe çfarë dëme u bëri Millosheviqi popujve të tjerë në Ballkan.

“E dini, unë mendoj se është e rëndësishme, ashtu siç është e rëndësishme të theksoj se nuk dua të rishikoj vitin 1999, mendoj se është e rëndësishme që serbët të kujtojnë se kush e udhëhoqi Serbinë atëherë dhe çfarë u bëri ai person kombeve të tjera në Ballkan. Pra, pa këtë pyetje, është e padiskutueshme që kur sheh një vend ku ra një bombë dhe ku njerëz vdiqën, padyshim që të vjen keq për humbjen e njerëzve. Sigurisht që e ndjej këtë dhe më vjen keq dhe ndjej për familjet që po jetojnë me atë humbje”, tha Hill.

Megjithatë shefi i misionit diplomatik të SHBA-së në Serbi u shpreh se nuk e pranon analogjinë me çfarë po ndodhë në Ukrainë dhe bombardimet e NATO-s.

“Por unë nuk pranoj të bëj analogji në asnjë mënyrë me brutalitetet dhe barbarizmin e kryer ndaj popullit ukrainas. Unë do t’i inkurajoja serbët të ruajnë kujtesën e tyre, por është e rëndësishme për jetën e kombit si të tillë dhe që individi të dijë se ka momente kur duhet të ecim përpara, të lini të kaluarën pas dhe të shikoni në të ardhmen. Unë po përpiqem ta bëj këtë këtu në Serbi, për të ndërtuar marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë, po përpiqem të jem i sinqertë dhe i qartë me popullin serb. Por unë mendoj se është e rëndësishme për të gjithë, veçanërisht për njerëzit që kanë pasur një të kaluar të vështirë si serbët, që është koha për të vazhduar, për t’u shqetësuar për të ardhmen, për të ardhmen e fëmijëve dhe fëmijëve të tyre. Unë e kuptoj rëndësinë e historisë, por të gjithë në këtë vend duhet të shohin se si do të ecin përpara pa parë prapa”, u shpreh ai.